Gjermania dhe Franca i dhanë fund përfundimisht projektit të përbashkët për zhvillimin e një avioni luftarak të gjeneratës së ardhshme, i njohur si FCAS (Future Combat Air System), ku ishte përfshirë edhe Spanja.
Vendimi vjen pas muajsh mosmarrëveshjesh mes kompanive kryesore të projektit, Airbus dhe Dassault Aviation.
Sipas qeverisë gjermane, kancelari Friedrich Merz dhe presidenti francez Emmanuel Macron arritën në përfundimin se dy kompanitë nuk mund të gjenin një marrëveshje për të çuar përpara projektin, vlera e të cilit llogaritej rreth 100 miliardë euro.
Edhe Pallati Elysee Palace konfirmoi dështimin e nismës, duke theksuar se ishte bërë e pamundur krijimi i një vizioni të përbashkët mes industrive të përfshira.
Projekti, i shpallur fillimisht nga Macron dhe ish-kancelarja gjermane Angela Merkel, synonte ndërtimin jo vetëm të një avioni luftarak modern, por edhe të dronëve shoqërues, sistemeve të avancuara të komunikimit dhe platformave të tjera të integruara luftarake. Ai parashikohej të zëvendësonte avionët Eurofighter Typhoon dhe Dassault Rafale pas vitit 2040.
Mosmarrëveshjet kryesore lidhen me rolin drejtues në projekt. Dassault kërkonte kontrollin kryesor të zhvillimit të avionit, ndërsa marrëveshja fillestare parashikonte pjesëmarrje të barabartë mes Francës, Gjermanisë dhe Spanjës.
Dështimi i FCAS konsiderohet një goditje e rëndë për përpjekjet evropiane për forcimin e bashkëpunimit në mbrojtje dhe për krijimin e një fronti të përbashkët përballë sfidave të sigurisë në Evropë.
Megjithatë, Berlini bëri të ditur se pjesët e tjera të projektit, si sistemet e komunikimit, integrimi i dronëve dhe rrjetet e avancuara ushtarake, do të vazhdojnë të zhvillohen në kuadër të bashkëpunimit franko-gjerman.
Një nga pikat kryesore të konfliktit ishte kërkesa e Francës që avioni i ri të kishte aftësi për të mbajtur armë bërthamore dhe për të operuar nga aeroplanmbajtëse, nevoja që Gjermania nuk i konsideronte prioritare. Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse Airbus do të kërkojë partnerë të rinj për projekte të ngjashme në të ardhmen. /kb
