Autoritetet britanike kanë bërë thirrje për qetësi pas një sulmi të rëndë me thikë në Irlandën e Veriut, ku një person mbeti i plagosur rëndë.
Policia njoftoi se ka arrestuar një shtetas sudanez të dyshuar për sulmin, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.
Sekretari britanik për Irlandën e Veriut, Hilary Benn, e cilësoi ngjarjen si një sulm “të tmerrshëm dhe brutal”, duke shprehur mbështetje të plotë për forcat e rendit që po hetojnë rastin.
HILARY BENN, SEKRETAR PËR IRLANDËN E VERIUT:
“Ky ishte një sulm i tmerrshëm dhe brutal. Policia po punon për të mbështetur dhe qetësuar komunitetin lokal. Të gjithë kemi përgjegjësinë të ruajmë qetësinë dhe t’i lëmë policisë të bëjë punën e saj.”
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, ku janë shpërndarë pamje të sulmit. Autoritetet u kanë kërkuar qytetarëve të mos publikojnë apo ripostojnë videot, në shenjë respekti për viktimën dhe familjen e saj.
Mes reagimeve, Benn vlerësoi edhe qytetarët që ndërhynë për të ndihmuar viktimën para mbërritjes së policisë.
HILARY BENN:
“Kur u përballën me skena të tmerrshme dhune, disa qytetarë nuk qëndruan indiferentë. Ata ndërhynë duke rrezikuar sigurinë e tyre për të mbrojtur viktimën. Ata treguan anën më të mirë të njerëzimit.”
Ndërkohë, disa deputetë kanë kërkuar më shumë transparencë mbi të kaluarën e të dyshuarit, duke paralajmëruar se mungesa e informacionit zyrtar mund të ushqejë spekulime dhe tensione në debatet për emigracionin.
Policia vijon hetimet për të përcaktuar motivet dhe rrethanat e plota të sulmit./mxh
