Last Updated on 09/06/2026 by EL
Prof. Perlat Kapysysi
Po lexoja lajmet në disa media.
“Det njerëzish”, “shqiptarët kërkojnë dorëheqjen e Ramës”, “shqiptarët njëzëri”, “tubim madhështor”
Për një çast më erdhi keq. Fjala “njëzëri” do të thoshte se gjithë Shqipëria duhej të ishte në shesh. Pra edhe unë.
U qetësova pasi lexova lajmin tjetër.
Sondazhi tregonte se 46% e shqiptarëve i kthenin shpinën protestës, ndërsa 52% mbështesnin investimin në Zvërnec.
Me sa duket, “të gjithë shqiptarët” vazhdojnë të kenë një marrëdhënie të vështirë me matematikën.
Vazhdoja leximin.
“Ne jemi e ardhmja e Shqipërisë.”
U gëzova.
Kurioziteti më tërhoqi përdore aq fort sa desh më nxori shpatullën nga vendi. E hapa lajmin me bindjen se do të shihja ndonjë grup të rinjsh me projekte, ide, studime, vizione për vendin.
Gabim.
E ardhmja kishte ardhur e stolisur me varëse që peshonin më shumë se argumentet, me syze më të shtrenjta se eksperienca, me çanta luksi dhe me celularë që punonin pa pushim për të dokumentuar sakrificën historike të të qenit në selfie.
Ndriçimi i aksesorëve konkurronte me shkëlqimin e bindjes se çdo problem i Shqipërisë zgjidhet duke postuar një video 30-sekondëshe me fytyrë serioze dhe sfond detin.
I pashë dhe më erdhën ndër mend opingat e Oroshit, kallot e duarve të aksioneve dhe “stuhia e përsosur” e COVID-19, kur njerëzit numëronin bombolat e oksigjenit dhe jo pëlqimet në rrjete sociale.
“Rama jep dorëheqjen! Rama jep dorëheqjen!”
Thirrjet më kujtuan ultrasit para ndeshjeve të futbollit.
Pastaj e qortova veten.
Krahasimi ishte i padrejtë.
Për ultrasit.
Ultrasit të paktën kanë ekip, trajner dhe objektiv të qartë.
Ata duan të fitojë skuadra e tyre.
Kurse “e ardhmja” nuk kishte paraqitur ende as ekipin, as trajnerin, as programin, as strategjinë.
Kishte vetëm rezultatin përfundimtar dhe kërkesën që ai t’i dorëzohej në tavolinë.
Siç thonë tironsit:
“Qofte te daja.”
Ndërsa po mendoja për këto gjëra, lexova një lajm tjetër.
Flamingot kishin vendosur të mbanin një tubim.
Nuk ishte det njerëzish.
Ishte lumë flamingosh.
Dhe, për habinë time, diskutimi i tyre ishte shumë më interesant.
Flamingot folën gjatë për atë që e quanin “sindroma e penalltisë së humbur”
Sipas tyre, është një dukuri shumë e përhapur tek opinionistët, analistët e kolltukut dhe ekspertët me kohë të pjesshme të çdo fushe.
Ajo shfaqet menjëherë pasi topi ka dalë jashtë, projekti ka përfunduar ose vendimi është marrë.
Në atë moment, individi fiton aftësi të jashtëzakonshme për të shpjeguar se çfarë duhej bërë, si duhej bërë dhe pse ai e kishte ditur që në fillim.
Flamingot ranë dakord se Shqipëria është ndoshta i vetmi vend ku ka më shumë trajnerë se futbollistë, më shumë kryeministra se votues dhe më shumë ekspertë investimesh se investitorë.
Një ditë më parë nuk thonë asgjë.
Një ditë më pas dinë gjithçka.
Ndoshta sepse aftësia për të parashikuar të kaluarën është shumë më e përhapur se aftësia për të marrë përgjegjësi për të ardhmen.
Diskutimi vazhdoi.
Flamingot pranuan se pushteti i gjatë mbart rreziqe reale.
Arrogancë.
Korruptim.
Lodhje të sistemit.
Ky është një ligj pothuaj universal i politikës.
Sa më gjatë qëndron një forcë politike në pushtet, aq më shumë zbehet vetëkontrolli dhe shtohet ndjenja e paprekshmërisë.
Por flamingot ranë dakord edhe për diçka tjetër.
Kritika është e vlefshme vetëm kur shoqërohet me alternativë.
Nihilizmi nuk është alternativë.
Të rrëzosh është më e lehtë sesa të ndërtosh.
Të bërtasësh është më e lehtë sesa të drejtosh.
Të premtosh është më e lehtë sesa të mbash përgjegjësi.
Në fund, flamingot arritën në përfundimin se ndodheshin në situatën e “mungesës së alternativës”
Jo sepse mendonin se gjithçka po shkonte mirë.
Jo sepse pushteti nuk kishte gabime.
Por sepse revolucioni i premtuar nga “e ardhmja” nuk i bindi.
Dhe një alternativë e dobët nuk bëhet më e mirë vetëm sepse kundërshton atë që ekziston.
Një nga flamingot ngriti kokën.
“Jo për gjë,” tha ajo, “por ai ka veshur edhe bluzë me foton tonë.”
“Po kungulli?” pyeti një tjetër.
“Po mirë,” u përgjigj flamingoja, “as ne nuk dalim gjithmonë bukur në fotografi.”
Tubimi shpërtheu në të qeshura.
Pastaj biseda kaloi te Zvërneci dhe Sazani.
Një flamingo e moshuar mori fjalën.
“Një vend i vogël ka luksin të refuzojë investime të këqija.
Nuk ka luksin të refuzojë investime të mëdha pa paraqitur një alternativë më të mirë.
Katër miliardë dollarë nuk janë thjesht beton, asfalt apo vila.
Janë besim.
Dhe besimi është monedha më e rrallë në ekonomi.
Paratë vijnë pas tij.
Kur një investitor i këtij niveli troket në derë, pyetja nuk është vetëm çfarë rrezikojmë nëse pranojmë.
Pyetja është edhe çfarë humbasim nëse refuzojmë.
Sepse historia është plot me vende që u dëmtuan nga projektet e këqija.
Por është po aq plot me vende që u varfëruan duke mos bërë asgjë.”
Një flamingo tjetër mori fjalën.
“Ky investim ka edhe peshë gjeopolitike.
Për vende të vogla si Shqipëria, investimet strategjike nuk sjellin vetëm para.
Ato sjellin vëmendje, partneritete dhe stabilitet.”
Më pas diskutimi kaloi te eko-luksi.
Flamingot sollën shembuj nga Mali i Zi, Kroacia, Greqia dhe Kosta Rika.
Vende që dikur kishin të njëjtat dilema.
Të njëjtat frikëra.
Të njëjtat debate.
Sot konsiderohen modele të zhvillimit të eko-luksit.
“Gabimi,” tha një flamingo, “është të mendosh se natyra dhe zhvillimi janë gjithmonë kundërshtarë.”
Natyra nuk është viktima që projekti sakrifikon.
Natyra është produkti që projekti shet.
Nëse shkatërron peizazhin, shkatërron vetë arsyen pse klientët vijnë.
Nëse shkatërron flamingot, shkatërron kartolinën.
Nëse shkatërron natyrën, shkatërron biznesin.
Prandaj investitori serioz nuk ka interes të luftojë natyrën.
Ai ka interes ta mbrojë atë.
Biseda po mbaronte.
Po bëhesha gati t’i falënderoja flamingot për kohën e tyre kur njëra prej tyre tregoi një histori.
“Një nga motrat tona ishte sëmurë rëndë.
Mezi ushqehej.
Kishte humbur ngjyrat dhe bukurinë e saj.
Rrinte e tulatur në llumin e kënetës, me zë të mekur dhe pa forcë.
Një ditë, aty pranë kaloi një burrë.
Ai dëgjoi zërin e saj.
Pa u menduar gjatë, hyri në kënetë.
Llumi ishte i thellë.
Çdo hap ishte një betejë.
Insektet e sulmuan nga të gjitha anët.
E pickuan.
E kafshuan.
E mbuluan.
Por ai nuk shikonte as majtas, as djathtas.
Shikonte vetëm drejt flamingos.
Kur më në fund e shpëtoi, doli në breg.
Disa filluan menjëherë të talleshin me baltën në rrobat e tij.
Të tjerë e shanin sepse ishte bërë pis.
Disa numëronin njollat.
Por kishte edhe nga ata që shikonin flamingon e shpëtuar.
Dhe e kuptonin.
E kuptonin pse ishte bërë pis.
E kuptonin çfarë kishte kaluar.
E kuptonin se nuk kishte rrugë tjetër.
Sepse flamingot nuk shpëtohen nga bregu.
Ato shpëtohen duke hyrë në kënetë.”
Flamingot heshtën.
Edhe unë heshta.
Pastaj kuptova se ndoshta kjo është diferenca midis atyre që përpiqen të bëjnë një punë dhe atyre që e komentojnë nga bregu.
Të parët rrezikojnë të bëhen pis.
Të dytët rrezikojnë vetëm të mbeten spektatorë.
Historia zakonisht nuk i mban mend ata që numërojnë njollat e baltës në rrobat e të tjerëve.
Historia kujton ata që hynë në baltë kur të tjerët nuk pranonin të lagnin këpucët./et
