Last Updated on 10/06/2026 by EL
Kujt nuk i ka ndodhur të dalë nga një provim apo intervistë pune dhe të mendojë: “Pse nuk më erdhi ndër mend ajo përgjigje në momentin e duhur?” Sipas shkencës, kjo është krejt normale.
Një studim i ri ka treguar se stresi i fortë mund ta bëjë trurin më pak efikas në krijimin e lidhjeve mes informacioneve të njohura dhe atyre të reja. Me fjalë të tjera, nën presion, truri e ka më të vështirë të nxjerrë përfundime dhe të gjejë lidhje logjike që zakonisht do t’i bënte pa problem.
Si funksionon truri kur është i qetë?
Për të lidhur informacionet e vjetra me ato të reja, truri përdor një proces të quajtur integrim. Për shembull, nëse e dini se një miku juaj i pëlqejnë çadrat me ngjyra të ndezura dhe shihni një çadër të verdhë pranë restorantit ku takoheni zakonisht, truri juaj mund të arrijë në përfundimin se miku ka mbërritur para jush. Ky proces mbështetet kryesisht te hipokampusi, një strukturë e trurit e lidhur ngushtë me kujtesën, por që është gjithashtu shumë e ndjeshme ndaj stresit.
Eksperimenti
Studiuesit e Universität Hamburg përfshinë 121 persona në një seri testesh kujtese. Një grup iu nënshtrua një situate stresuese që simulonte një intervistë pune, ku pjesëmarrësit duhej të mbronin aftësitë e tyre për një vend pune dhe më pas të zgjidhnin ushtrime të vështira matematike. Grupi tjetër kreu detyra shumë më të thjeshta dhe pa presion. Më pas, të gjithë pjesëmarrësit duhej të përdornin kujtesën dhe intuitën për të krijuar lidhje mes informacioneve të mësuara më parë. Po çfarë ndodhi në tru? Gjatë testit, aktiviteti i trurit u monitorua me rezonancë magnetike funksionale (fMRI). Studiuesit vunë re se tek personat e stresuar, disa zona të hipokampusit aktivizoheshin më dobët. Kjo do të thoshte se truri kishte vështirësi të rikthente në kujtesë informacionet e nevojshme për të krijuar lidhje logjike. Me fjalë të tjera, kujtimet nuk zhdukeshin, por bëheshin më të vështira për t’u aksesuar në momentin kur duheshin.
Çfarë do të thotë kjo për ne?
Studimi shpjegon pse gjatë provimeve, intervistave apo situatave me presion të lartë mund të harrojmë gjëra që i dimë shumë mirë. Stresi nuk e fshin informacionin nga kujtesa, por pengon përkohësisht mekanizmat që na lejojnë ta përdorim atë në mënyrë efektive. Prandaj, nëse gjatë një provimi ju duket sikur truri ju është “bllokuar”, mos mendoni se nuk jeni përgatitur mjaftueshëm. Shpesh është vetë stresi ai që po pengon hipokampusin të funksionojë me kapacitet të plotë./fc
