Irani ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës se mund të përfshihen në një “konflikt pa fund”, pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump për sulme të reja ndaj Teheranit dhe marrjen nën kontroll të infrastrukturës së tij energjetike.
Mohammad Bagher Ghalibaf, kryetar i Parlamentit iranian dhe negociatori kryesor i vendit, shkroi në platformën X se “strategjitë e gabuara dhe vendimet impulsive” mund ta përkeqësojnë ndjeshëm situatën.
Sipas tij, veprime të tilla rrezikojnë të godasin infrastrukturën energjetike dhe tregjet globale, duke krijuar një konflikt afatgjatë nga i cili SHBA-ja, do ta ketë të vështirë të dalë.
“Do të shihni një Iran ndryshe”, paralajmëroi Ghalibaf.
Deklaratat e tij erdhi pasi Trump tha se SHBA-ja do ta godasë Iranin “shumë fort” gjatë natës dhe se, në një të ardhme jo të largët, synon të marrë “kontroll të plotë” mbi tregjet iraniane të naftës dhe gazit.
Presidenti amerikan deklaroi gjithashtu se SHBA-ja do të marrë nën kontroll ishullin Kharg, terminalin kryesor të eksportit të naftës së Iranit në Gjirin Persik, megjithëse më vonë vuri në dyshim nëse vendi i tij “e ka vullnetin” për të ndërmarrë një veprim të tillë./mxh
