Nuk janë vetëm gratë që përjetojnë luhatje humori të lidhura me hormonet. Edhe burrat mund të bëhen më nervozë, të irrituar apo të përjetojnë shpërthime zemërimi për shkak të ndryshimeve hormonale që ndodhin me kalimin e moshës. E njohur si “sindroma e mashkullit nervoz”, kjo nuk është një diagnozë zyrtare mjekësore, por një term i krijuar rreth 20 vite më parë nga endokrinologu skocez Gerald Lincoln. Ai vuri re fillimisht te kafshët se rënia e nivelit të testosteronit me plakjen shoqërohej me rritje të irritueshmërisë dhe ndryshime në sjellje.
Pas të 40-ave, ndryshimet hormonale ndikojnë edhe te burrat
Ndryshe nga menopauza te gratë, rënia e hormoneve mashkullore ndodh gradualisht. Megjithatë, ekspertët theksojnë se ulja e testosteronit pas moshës 40-vjeçare mund të ndikojë në gjendjen emocionale, duke shtuar ndjenjat e ankthit, frustrimit dhe nervozizmit. Këto ndryshime biokimike mund të reflektohen në marrëdhëniet familjare, në punë dhe në jetën sociale, duke bërë që disa burra të reagojnë më impulsivisht ose të kenë vështirësi në kontrollin e emocioneve.
Hormonet ndikojnë te të dyja gjinitë
Shkenca ka treguar prej kohësh se hormonet ndikojnë në humorin e grave. Studimi amerikan Seattle Midlife Women’s Health Study ka konfirmuar se irritueshmëria dhe zemërimi shfaqen më shpesh në ditët para menstruacioneve, periudhë gjatë së cilës gratë raportojnë gjithashtu më pak kontroll mbi emocionet e tyre. Gjatë peri-menopauzës, luhatjet hormonale bëhen edhe më të theksuara, duke rritur prirjen për nervozizëm dhe reagime emocionale më intensive. Ekspertët theksojnë se edhe pse “sindroma e mashkullit nervoz” nuk konsiderohet një sëmundje më vete, ndryshimet hormonale te burrat janë reale dhe mund të ndikojnë ndjeshëm në mirëqenien psikologjike dhe emocionale, veçanërisht pas moshës 40-vjeçare.
