Last Updated on 13/06/2026 by Anisa
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka shprehur shqetësimin se gjatë protestave të qytetarëve, janë shfaqur pankarta dhe mesazhe që vendosin në shënjestër mediat dhe gazetarët.
Përmes një reagimi, Asociacioni i Gazetarëve, teksa ka theksuar se kritika ndaj linjës editoriale apo mënyrës së raportimit është një e drejtë legjitime, kjo sipas tyre nuk duhet të shndërrohet në stigmatizim kolektiv të medias, apo në krijimin e një klime armiqësore ndaj tyre.
Sipas Asociacionit të Gazetarëve, sulmet verbale, intimidimi apo thirrjet që synojnë delegjitimimin e medias si institucion, dëmtojnë të drejtën e publikut për t’u informuar.
Asociacioni i Gazetarëve nënvizon se liria e protestës dhe liria e medias nuk janë në kundërshtim me njëra-tjetrën.
Reagimi i Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë:
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ndjek me vëmendje zhvillimet e protestave qytetare që po mbahen në Tiranë dhe respekton plotësisht të drejtën kushtetuese të qytetarëve për të protestuar dhe për të shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj institucioneve, qeverisë apo aktorëve të tjerë publikë e politikë.
Megjithatë, shqetësohemi nga shfaqja e pankartave dhe mesazheve që vendosin në shënjestër mediat, gazetarët apo punonjësit e mediave.
Kritika ndaj linjave editoriale, apo mënyrës së raportimit është një e drejtë legjitime në një shoqëri demokratike, por ajo nuk duhet të shndërrohet në stigmatizim kolektiv të ndaj medias apo në krijimin e një klime armiqësore ndaj tyre.
Gazetarët nuk janë kundërshtarë të qytetarëve. Ata kanë detyrimin profesional të raportojnë mbi zhvillimet, përfshirë protestat, pavarësisht kritikave që mund të kenë ndaj mënyrës se si mediat funksionojnë në Shqipëri.
Sulmet verbale, intimidimi apo thirrjet që synojnë delegjitimimin e medias si institucion dëmtojnë të drejtën e publikut për t’u informuar.
Liria e protestës dhe liria e medias nuk janë në kundërshtim me njëra-tjetrën. Ato janë dy shtylla themelore të një shoqërie demokratike dhe duhet të mbrohen njësoj./a.d
