Të paktën një person humbi jetën dhe nëntë të tjerë mbetën të plagosur pasi dronët ukrainas goditën një pallat banimi në qytetin rus të Oryolit, në jug të Moskës.
Lajmi u konfirmua nga guvernatori rajonal i Oryolit, Andrei Klychkov, i cili publikoi fotografi që tregojnë dëme të konsiderueshme në godinën shumëkatëshe. Në pamje shihen dritare të shpërthyera dhe fasada të nxira nga shpërthimi.
Sipas autoriteteve lokale, ekipet e emergjencës dhe forcat e rendit ndërhynë menjëherë në zonë, ndërsa operacionet për pastrimin e rrënojave dhe vlerësimin e dëmeve vazhdojnë.
Momenti i shpërthimit dhe pasojat e menjëhershme u filmuan nga një dëshmitar okular. Verifikimet e pamjeve, bazuar në rrjetin rrugor dhe ndërtesat përreth, konfirmojnë se videoja është regjistruar në zonën e goditur në Oryol.
Ndërkohë, Forcat Ajrore të Ukrainës deklaruan në rrjetin Telegram se gjatë natës kishin ndërmarrë një sulm me dronë ndaj Oryolit dhe qyteteve të tjera ruse.
Sulmi vjen në një kohë kur përplasjet mes Rusisë dhe Ukrainës vazhdojnë të intensifikohen, me të dyja palët që po përdorin gjithnjë e më shumë dronët për të goditur objektiva larg vijës së frontit./mxh
