Qytetarët zviceranë iu drejtuan këtë të diel kutive të votimit për të vendosur mbi një propozim që synon kufizimin e popullsisë së vendit në 10 milionë banorë deri në vitin 2050.
Sipas projeksioneve paraprake të publikuara nga transmetuesi publik zviceran SRF, rreth 55 për qind e votuesve kanë votuar kundër nismës, ndërsa 45 për qind e kanë mbështetur atë.
Rezultati i pritshëm tregon se shumica e qytetarëve kanë zgjedhur t’i japin përparësi stabilitetit ekonomik dhe marrëdhënieve me Bashkimin Evropian, përballë shqetësimeve për ndikimin e emigracionit në shërbimet publike, rritjen e qirave dhe sigurinë.
Referendumi, i krahasuar nga disa analistë me votimin për Brexit në Britaninë e Madhe në vitin 2016, ka ngjallur debat të gjerë në vend. Komuniteti i biznesit kishte shprehur shqetësimin se miratimi i propozimit mund të çonte në fundin e lëvizjes së lirë të fuqisë punëtore mes Zvicrës dhe Bashkimit Evropian, partnerit më të madh tregtar të vendit.
Nisma u promovua nga Partia Popullore Zvicerane, e krahut të djathtë, dhe parashikonte që popullsia të mos kalonte shifrën prej 10 milionë banorësh para vitit 2050. Në rast se ky kufi do të tejkalohej për dy vite radhazi, Zvicra do të duhej të hiqte dorë nga marrëveshja për lëvizjen e lirë me Bashkimin Evropian.
Aktualisht, Zvicra ka rreth 9.1 milionë banorë, ndërsa të huajt përbëjnë afro 28 për qind të popullsisë. Sipas projeksioneve zyrtare, numri i banorëve pritet të arrijë në 10 milionë në fillim të viteve 2040.
Debati mbi emigracionin mbetet një nga temat më të ndjeshme në politikën zvicerane, ndërsa kundërshtarët e nismës argumentojnë se ekonomia e vendit ka nevojë për fuqi punëtore të huaj për të përballuar sfidat demografike dhe kërkesat e tregut të punës./mxh
