Forcat e armatosura britanike kanë hipur për herë të parë në një anije cisternë me nafte, që dyshohet se i përket të ashtuquajturës “flotë hije” e Rusisë, gjatë një operacioni të zhvilluar sot në orët e para të mëngjesit, në Kanalin e La Manshit, raportoi BBC.
Kryeministri britanik, Keir Starmer, tha se operacioni zgjati gjashtë orë dhe u krye nga komandot e Marinës Mbretërore, oficerë të specializuar të Agjencisë Kombëtare të Krimit dhe Forcat Ajrore Mbretërore (RAF).
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, anija cisternë “Smyrtos” është ndaluar dhe po mbahet nën vëzhgim pranë bregdetit jugor të Anglisë, ndërsa hetimet vazhdojnë.
“Ky operacion i suksesshëm i jep një goditje tjetër Rusisë dhe u kujton atyre që financojnë luftën e Vladimir Putinit në Ukrainë se nuk do t’i lejojmë të fshihen”, deklaroi Starmer.
Sipas të dhënave të gjurmimit detar, anija lundron nën flamurin e Kamerunit dhe ndodhet pranë brigjeve të Weymouth-it.
Ajo kishte nisur udhëtimin më 5 qershor nga porti rus i Ust-Lugës, pranë Shën Peterburgut.
Autoritetet britanike theksuan se anija cisternë ishte subjekt i sanksioneve në korrik 2025.
Që prej asaj kohe, ajo ka ndryshuar emrin nga “Myrtos” në “Smyrtos”, si dhe ka ndërruar dy herë flamurin nën të cilin lundron.
Sipas Londrës, Rusia përdor një “flotë hije” prej më shumë se 700 anije cisternash, për të shmangur sanksionet ndërkombëtare ndaj eksporteve të saj të naftës.
Ministria britanike e Mbrojtjes vlerëson se rreth 75% e naftës ruse të sanksionuar, transportohet nga këto anije, duke siguruar një burim jetik të ardhurash për Kremlinin.
Operacioni u mbështet nga avionë të Grupit Ajror Detar, një avion patrullues RAF P-8, si dhe anijet luftarake britanike “HMS Sutherland dhe “HMS Ledbury”.
Qeveria britanike ka vendosur sanksione ndaj më shumë se 500 anijeve, të lidhura me eksportet ruse të naftës.
Këto masa ndalojnë hyrjen në portet britanike të anijeve cisternë dhe u ndalojnë kompanive britanike të ofrojnë shërbime financiare, sigurimi apo ndërmjetësimi për to.
Ministri i Përgjithshëm i Britanisë së Madhe, Richard Hermer, deklaroi se qeveria do të vazhdojë të ndjekë “flotën hije” ruse në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Londra ka theksuar se synimi i këtyre veprimeve është të reduktojë të ardhurat e Rusisë nga nafta dhe të kufizojë financimin e luftës së saj në Ukrainë.
Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se operacioni u zhvillua në koordinim të ngushtë me Francën.
Më 1 qershor, presidenti francez, Emmanuel Macron, njoftoi se marina franceze kishte ndaluar një tjetër anije cisternë të dyshuar si pjesë e “flotës hije” ruse, me mbështetjen e forcave britanike./mxh
