Milani duket se ka zgjedhur Ruben Amorim si trajnerin e ri për sezonin e ardhshëm, pasi negociatat mes palëve janë drejt fazës përfundimtare.
Marrëveshja parashikohet të jetë trevjeçare ose dy vite me opsion rinovimi për një sezon tjetër, me një pagë rreth 4 milionë euro në vit.
Trajneri portugez ka pranuar kushtet e vendosura nga drejtuesit kuqezi dhe nuk është ndikuar nga mungesa e Milanit në Ligën e Kampionëve. Pas eksperiencës te Manchester United, Amorim kishte menduar të pushonte për një sezon, por projekti i Milanit e ka bindur të rikthehet menjëherë në pankinë.
Me ardhjen e tij pritet një ndryshim i rëndësishëm në filozofinë e lojës dhe në përbërjen e skuadrës. Amorim preferon skema me tre mbrojtës, kryesisht 3-4-3 dhe 3-5-2, me lojë të bazuar te presingu, posedimi i topit dhe shfrytëzimi i krahëve.
Mike Maignan konsiderohet një pikë fikse e projektit të ri, ndërsa reparti defensiv mund të pësojë ndryshime të rëndësishme. Strahinja Pavlovic shihet si një lojtar i përshtatshëm për sistemin e trajnerit portugez, ndërsa Milani pritet të ndërhyjë në merkato për të kompletuar skuadrën sipas kërkesave të tij./mxh
