Kur një yll shumë masiv shteron karburantin e tij bërthamor, graviteti merr kontrollin dhe e detyron të shembet mbi vetveten. Sipas teorisë klasike, ky proces çon në formimin e një vrime të zezë, ku e gjithë masa përqendrohet në një pikë të vetme të quajtur singularitet, një zonë ku ligjet e fizikës nuk arrijnë më të japin shpjegime.
Për të zgjidhur këtë problem teorik, disa fizikantë kanë propozuar një alternativë të pazakontë: të ashtuquajturat gravastare. Këto objekte ultra-kompakte do të ngjanin shumë me vrimat e zeza nga jashtë, por në vend të një singulariteti do të përmbanin energji të errët, e cila do të kundërshtonte forcën e gravitetit dhe do të parandalonte shembjen e plotë. Një studim i ri nga fizikantët Daniel Jampolski dhe Luciano Rezzolla sugjeron se gjatë kolapsit të një ylli masiv mund të lindë një “mini-univers” në zemër të tij. Ky univers i vogël do të ngjante me një version të ri të Big Bengut dhe do të zgjerohej falë energjisë së errët.
Sipas modelit, kjo zonë në zgjerim do të ushtronte presion të mjaftueshëm për të ndalur kolapsin e yllit, duke krijuar një ekuilibër mes forcës që shtyn nga brenda dhe asaj që shtyn nga jashtë. Rezultati do të ishte formimi i një gravastari të qëndrueshme në vend të një vrime të zezë. Studiuesit besojnë se ky “Big Beng i brendshëm” mund të ndodhë vetëm në kushte ekstreme, kur ylli është pothuajse në prag të shndërrimit në vrimë të zezë.
Në ato momente mund të hyjnë në lojë ligje të reja fizike që ende nuk njihen. Pjesa më intriguese e teorisë është se mini-universi nuk do të zgjerohej brenda yllit si një tullumbace. Ai do të zhvillohej në një hapësirë-kohë të veçantë, të shkëputur nga universi ynë. Nga jashtë, objekti do të dukej si një vrimë e zezë ose gravastar, ndërsa universi i ri do të mbetej plotësisht i padukshëm dhe i paarritshëm.
Studimi, i publikuar në revistën shkencore Physical Review D, nuk mohon ekzistencën e vrimave të zeza, të cilat mbeten shpjegimi më i pranuar për fundin e yjeve masivë. Megjithatë, ai ofron një hipotezë magjepsëse: se vdekja e një ylli mund të jetë në të njëjtën kohë edhe lindja e një universi të ri.
