Një vilë madhështore romake e shekullit I pas Krishtit është zbuluar në zonën e lashtë të Loriumit, pranë Castel di Guido, vetëm 19 kilometra larg Romës. Zbulimi u bë falë një operacioni të shpejtë të policisë dhe ndërhyrjes së arkeologëve, të cilët arritën ta shpëtonin sitin nga grabitësit e varreve.
Në Antikitet, Loriumi ishte një nga destinacionet më ekskluzive të pushimeve për aristokracinë romake dhe perandorë si Hadrian, Antoninus Pius dhe Marcus Aurelius. Sipas arkeologëve, vila mund të ketë qenë në pronësi ose të jetë frekuentuar nga anëtarë të dinastisë Antonine. Gërmimet kanë nxjerrë në dritë hyrjen monumentale të banesës, me një atrium të madh dhe një pellg mermeri për mbledhjen e ujit të shiut. Janë zbuluar gjithashtu dhoma luksoze me mozaikë të dekoruar me motive gjeometrike dhe mbetje afreskesh të pikturuara që dikur zbukuronin muret. Kompleksi nuk shërbente vetëm si rezidencë pushimi.
Përveç pjesës së banimit luksoz (pars urbana), janë identifikuar edhe ambiente të lidhura me aktivitetet bujqësore (pars rustica), duke treguar se prona funksiononte edhe si fermë. Një nga zbulimet më interesante është një statujë prej mermeri të bardhë që paraqet një figurë me mjekër duke mbajtur një kafshë të vogël.
Studiuesit mendojnë se mund të bëhet fjalë për Silvanus, perëndinë romake mbrojtëse të pyjeve, tokave dhe kufijve të pronave. Përdorimi i mermerit të çmuar tregon pasurinë dhe statusin e lartë të pronarit të vilës.
