Last Updated on 17/06/2026 by EL
Turizmi në Shqipëri ka vijuar trendin pozitiv edhe gjatë muajit prill, sipas të dhënave më të fundit nga Instituti i Statistikave (INSTAT). Numri i vizitorëve të akomoduar në strukturat turistike të vendit shënoi një rritje prej 19.7% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Rritja është ndikuar si nga vizitorët rezidentë, ashtu edhe nga turistët e huaj. Sipas INSTAT, numri i vizitorëve rezidentë u rrit me 12.9%, ndërsa vizitorët jo rezidentë, pra turistët nga jashtë vendit, shënuan një rritje më të ndjeshme prej 22.6%.
Edhe netëqëndrimet në strukturat akomoduese kanë regjistruar rritje, duke u shtuar me 5.6% krahasuar me prillin e vitit të kaluar. Në këtë tregues, netëqëndrimet e vizitorëve rezidentë u rritën me 3.9%, ndërsa ato të turistëve të huaj me 6.3%, duke treguar një qëndrim më të gjatë të vizitorëve në vend.Për sa i përket shpërndarjes gjeografike, rajoni qendror ka qenë më i vizituari gjatë muajit prill, me rreth 130 mijë persona të akomoduar. Pas tij renditet rajoni verior, ndërsa rajoni jugor ka pasur numrin më të ulët të vizitorëve. Një tjetër element i rëndësishëm është se fokusi i udhëtarëve ka qenë më shumë drejt zonave jo bregdetare, duke treguar një zgjerim të interesit për destinacionet urbane dhe natyrore jashtë vijës së plazheve.
Sa i përket origjinës së turistëve të huaj, pjesa më e madhe e vizitorëve vijnë nga Italia, e cila zë rreth 23% të totalit. Pas saj renditet Kosova me 13%, ndërsa Mbretëria e Bashkuar përbën 8% të vizitorëve. Gjermania dhe Franca kanë gjithashtu një peshë të konsiderueshme me përkatësisht 8% dhe 6%, ndërsa 42% e turistëve vijnë nga vende të tjera të botës.
Ndërkohë, norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele gjatë prillit arriti në 22.4%, duke mbetur në të njëjtin nivel me prillin e vitit 2025. Të dhënat tregojnë se Shqipëria po vijon të konsolidohet si destinacion turistik jo vetëm gjatë sezonit veror, por edhe në muajt jashtë pikut, me një rritje të interesit nga turistët ndërkombëtarë./et
