Prodhimi neto i energjisë elektrike në vend arriti në 4.4 milionë MWh gjatë katër muajve të parë të vitit 2026, me prodhuesit privatë që gjeneruan më shumë energji sesa Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH), sipas të dhënave të Entit Rregullator të Energjisë (ERE).
Bilanci energjetik tregon se prodhimi neto vendas arriti në 4,404,981 MWh në periudhën janar-prill. Nga kjo sasi, KESH prodhoi 2,025,837 MWh, ose rreth 46% të totalit, ndërsa prodhuesit privatë dhe koncesionarë, përfshirë centralet fotovoltaike, prodhuan 2,379,144 MWh, ose afërsisht 54%.
Hidrocentralet vijojnë të dominojnë prodhimin vendas, por energjia diellore po fiton gjithmonë e më shumë hapësirë. Sipas të dhënave të ERE-s, centralet fotovoltaike prodhuan gjithsej 230,004 MWh gjatë katërmujorit.
Nga kjo sasi, 50,487 MWh u prodhuan nga impiantet e lidhura në rrjetin e shpërndarjes së OSHEE-së, ndërsa 179,517 MWh nga centralet fotovoltaike të lidhura në rrjetin e transmetimit të OST-së.
Energjia diellore përbënte rreth 5.2% të prodhimit neto vendas, duke mbetur me një kontribut relativisht të vogël në raport me hidroenergjinë, por me një ecuri pozitive drejt synimit në diversifikimin e burimeve të prodhimit.
Pavarësisht se prodhimi vendas rezultoi më i lartë se konsumi i raportuar vendi vijoi të mbështetet në importet e energjisë elektrike gjatë janar-prillit. Bilanci rezultoi pozitiv në import me 1,293,545 MWh gjatë periudhës.
Kjo sasi është e barabartë me rreth 41.6% të konsumit vendas të energjisë elektrike, i cili arriti në 3,111,436 MWh në katër muajt e parë të vitit.
Në anën e furnizimit, KESH i shiti Furnizuesit të Shërbimit Universal (FSHU) 1,518,164 MWh energji për mbulimin e nevojave të konsumatorëve familjarë dhe bizneseve të vogla.
Ndërkohë, Furnizuesi i Tregut të Lirë (FTL) siguroi 1,283,142 MWh energji nga prodhues privatë, tregu i liberalizuar dhe burime të tjera për klientët e tij dhe për mbulimin e humbjeve në rrjet./Monitor.al/kb
