Last Updated on 18/06/2026 by Anisa
Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi mori pjesë në ministerialin e NATO-s që po zhvillohet në selinë e Aleancës në Bruksel, një takim i rëndësishëm që vjen në një moment kyç për sigurinë euro-atlantike dhe përpjekjet për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendeve anëtare.
Në këtë ministerial po diskutohen çështje që lidhen me modernizimin e industrisë së mbrojtjes, rritjen e gatishmërisë ushtarake dhe përgatitjet për samitin e ardhshëm të NATO-s në Ankara. Gjithashtu në agjendë përfshihen edhe mbledhjet e Grupit të Planifikimit Bërthamor si dhe takimet e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, i cili bashkëdrejtohet nga Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte theksoi gjatë takimit rëndësinë e forcimit të Aleancës, duke nënvizuar nevojën për një Evropë më të fortë brenda një NATO-je më të fuqishme, si dhe rritjen e investimeve në mbrojtje nga vendet anëtare.
Në një reagim në rrjetet sociale ministri Ermal Nufi shkruan:
“Në Takimin e Ministrave të Mbrojtjes të NATO-s në 📍Bruksel ritheksuam rëndësinë e unitetit, forcimin e mbrojtjes kolektive dhe rritjen e gatishmërisë së Aleancës përballë zhvillimeve në mjedisin e sigurisë euro-atlantike.
Përballë sfidave të reja dhe kërcënimeve në zhvillim, bashkëpunimi ndërmjet aleatëve, investimet në #mbrojtje dhe modernizimi i kapaciteteve ushtarake janë garancia më e fortë për paqen, sigurinë dhe mbrojtjen e vlerave tona të përbashkëta.
Shqipëria 🇦🇱 do të vijojë të japë kontributin e saj të pandërprerë me përgjegjësi dhe vendosmëri në kuadër të #NATO si një #aleate e përkushtuar dhe e besueshme, duke forcuar rolin e saj si faktor stabiliteti në rajon e më gjerë.
#WeAreNATO #DefMin”
Ky takim vlerësohet si një hap i rëndësishëm në koordinimin e mëtejshëm të aleatëve përballë sfidave të reja të sigurisë dhe forcimin e bashkëpunimit në kuadër të NATO-s./a.d



