Last Updated on 18/06/2026 by Kesjana
Më 20 qershor 2026, në Paris do të zhvillohet tubimi ndërkombëtar “Irani i Lirë 2026”, një nga aktivitetet më të mëdha të organizuara nga Rezistenca Iraniane, ku pritet të marrin pjesë mbi 100 mijë iranianë dhe mbështetës të lirisë, të drejtave të njeriut dhe Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI/MEK) nga vende të ndryshme të botës.
Sipas organizatorëve, aktiviteti zhvillohet në një moment të rëndësishëm politik, ndërsa vëmendja ndërkombëtare është përqendruar te zhvillimet e fundit në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Ata theksojnë se Rezistenca Iraniane dhe liderja e saj, Maryam Rajavi, kanë shprehur mbështetje për përpjekjet që synojnë uljen e tensioneve dhe hapjen e rrugës për ndryshime demokratike në Iran.
Organizatorët bëjnë të ditur se mbi 3 mijë personalitete politike nga e gjithë bota, përfshirë anëtarë të Kongresit Amerikan, deputetë të parlamenteve evropiane, laureatë të Çmimit Nobel, figura publike dhe ish-krerë shtetesh, kanë shprehur mbështetje për tubimin ose kanë bërë thirrje për ndalimin e ekzekutimeve politike në Iran.
Tubimi i përvitshëm zhvillohet në një kohë kur shqetësimet për të drejtat e njeriut dhe ekzekutimet e kundërshtarëve politikë në Iran vijojnë të mbeten në fokusin e komunitetit ndërkombëtar. Organizatorët e aktivitetit e konsiderojnë këtë ngjarje një platformë të rëndësishme për të përcjellë mesazhe në mbështetje të lirisë, demokracisë dhe respektimit të të drejtave themelore të njeriut në Iran.
Pas përfundimit të aktivitetit, pritet të publikohen raporte, materiale filmike dhe pasqyrime nga mediat ndërkombëtare mbi zhvillimin e këtij tubimi./kb
