Last Updated on 19/06/2026 by Kesjana
Ministri i Mbrojtjes, z.Ermal Nufi mori pjesë në Takimin e 35-të të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, që u mbajt në Bruksel, ku rikonfirmoi angazhimin e Shqipërisë në mbështetje të Ukrainës, në përputhje me vlerat dhe objektivat e NATO.
Përmes një publikimi në rrjetet sociale, ministri Nufi theksoi se, “Shqipëria mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj përkrah Ukrainës, duke vijuar të kontribuojë në përpjekjet e përbashkëta të aleatëve për mbrojtjen e lirisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit”.
“Që nga fillimi i agresionit rus, ne kemi qëndruar krah për krah popullit ukrainas për të mbrojtur lirinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit të tij”, u shpreh ministri Nufi.
Takimi në Bruksel mblodhi ministrat e mbrojtjes së vendeve aleate dhe partnere për të koordinuar mbështetjen e mëtejshme ndaj Ukrainës dhe për të diskutuar zhvillimet më të fundit në fushën e sigurisë euroatlantike./kb




