Last Updated on 19/06/2026 by EL
Nga Jakin Marena
Protesta në kryeqytet e qytetarëve, prapa të cilës qëndron amalgama e shoqatave ambientaliste e më gjërë, grupeve të interesit të lidhura me fqinjët tanë për shkak të konkurencës, grupeve neomarksiste të Shqipërisë ‘londineze’ dhe të Kurtit, celulat e islamit politik me frymëzim nga Teherani e Sarajeva si dhe axhenda anti-Trump, po hyn në ditën e 20-të dhe nuk po ndalet!
E 20 ditë nuk janë pak për një protestë qytetare, pavarësisht pjesëve përbërëse të saj, ku tashmë kanë futur ‘hundët’ dhe njerëzit e Sali Berishës, ata të neomarksistit Arlind Qori, të lëvizjes së Lapajt dhe partisë së Agron Shehajt, që të formatojë një qëndrim real për qëllimin e këtij tubimi të përnatshëm! E thënë më shqip, çfarë po kërkojnë me këtë ‘xhiron’ e mbrëmjes në kryeqytet?!
Gjithçka nisi për Zvërnecin, ku pas dhunës që dy të ‘pajtuar’ nga kushedi se kush, në sytë e policisë private dhe të policisë shtetit, ushtruan ndaj qytetari, çka shpërtheu protestën në Tiranë! ‘Rastësisht’, personi që u dhunua, e dënojmë pafundësisht dhunën, ‘qëlloi’ që të ishte me shtetësi të dyfishtë, shqiptare e greke. Ai ishte një qytetar me mbiemrin Subashi, shqiptar këndej dhe me emër tjetër në Greqi, por që kjo nuk i pengoi mediat dhe politikën greke që të involvohen në këtë çështje, duke e ndërkombëtarizuar dhe duke i vënë ‘fitilin’ reagimit qytetar në Shqipëri!
Protesta nisi pastaj për mbrojtjen e Flamingove, këtyre zogjve shtegtarë që kanë ardhur vonë në Shqipëri dhe që ushqehen me gjallesa mikroskopike, por që Shqipëri, dhe me nxitjen e një ‘dore’ të padukshme u shkaktua një lëvizje me dëme ‘jo-mikroskopike’, e tashmë po mban vetëm ‘simbolin’ plastik të këtyre zogjve, ku herë herë bëjnë edhe paradë në kryeqytet, të shoqëruar me kolonat zanore të marsheve luftarake! Nuk tremben, sepse nuk janë Flamingo prej vërteti në fakt!
Tashmë Zvërnecit dhe mbrojtjes së Flamingove e Pelikanit Kaçurel i ka mbetur vetëm jehona, pasi protesta e ka ngritur ‘stekën’ e kërkesave shumë shumë lart, madje e ka ngritur në fund fare, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama! Deklarojnë madje se, nuk negociojnë fare!
E marrë në kontekstin e një proteste qytetare, nga përvoja që kemi por dhe nga praktika botërore, si rregull, ekziston një përshkallëzim lëvizjesh nga poshtë lart, dhe jo nga lart poshtë! E themi këtë, sepse protestat qytetare zakonisht nisin me kërkesa lokale, përshkallëzohen me kërkesa kombëtare dhe tërë kompleksiteti i këtyre kërkesave, përmblidhet në ngritjen e një grupi bisedues, për të mos e quajtur negociator pasi tremben këto grupet e veçanta ‘rozë’ të interesit, për t’i bërë presion qeverisë që të realizohen kërkesat e tyre! Këmbëngulja në përcaktimin real të këtyre kërkesave si dhe shkalla e lartë e përfitimit nga ky presion, përcakton suksesin apo dështimin e një proteste qytetare! Kur plotësohen këto kërkesa, ajo tërhiqet dhe ‘shijon’ fitoren! Nëse nuk plotësohen kërkesat, atëherë kërkohet ‘sublimja’, dorëheqja e kryeministrit!
Por në rastin e protestës në Tiranë, nuk po ndodh asgjë sipas një manuali të përcaktuar dhe të ngjashëm me botën demokratike! As arrestimi i dhunuesve në Zvërnec, as vendimi i SPAK dhe GJKKO për bllokimin e parave të pronarit të tokës në Zvërnec, as garancia e dhënë nga Rama për Zvërnecin, garanci e ‘ratifikuar’ nga komisionerja për Zgjerimin në BE Marta Kos dhe dy ditë më parë dhe nga një votim i Parlamentit Evropian, që i vë gjërat në vend, nuk kanë ndikuar tek protesta në Tiranë, çdo pasdite në shesh, bulevard dhe rrugët e kryeqytetit!
Përkundrazi, vijojnë me të njejtin intensitet! Duke kërkuar jo vetëm dorëheqjen e qeverisë Rama, zhdukjen nga politika të PS, por dhe zhdukjen e PD dhe partive të opozitës nga ‘qarkullimi’. Për t’ia dhënë tërë pushtetin popullit, sipas tyre! Pavarësisht se një pjesë e turmës së protestuesve përbëhet nga demokratë, mbështetës, të pakët këta, të Qorit, Lapajt e Shehajt akoma shumë më pak këta, si dhe mbi 1 mijë vetë çdo natë që janë të dërguarit e Albinit me në krye ‘gurunë’ e makinerisë së linçimit, kërcënimit dhe bullizimit dixhital në Kosovë, Elvis Hoxha, shtuar këta islamikët dhe prurjet fqinje për efekt konkurrence, thirrjet për zhdukjen e kësaj klase politike, që e quajnë të ‘vjetër’, kanë vijuar me të njejtën forcë! Madje dhe me thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”! Anipse demokratët janë acaruar jo pak herë, megjithëse vijojnë të tentojnë të marrin nën kontroll tërë protestën, çka tregon se Berisha ‘gëlltit’ shumë gjëra për interes!
Pra, teksa e kanë ngritur ‘stekën’ e kërkesave kaq lart, duke kërkuar me të parën dorëheqjen e Ramës dhe të qeverisë, largimin e Berishës dhe tërë klasës politike aktuale nga qarkullimi, teksa kanë filluar presionin ndaj drejtësisë së re për të futur në burg të gjithë ata që ka përzgjedhur turma në listën e linçimit dhe burgimit, teksa bëjnë presion ndaj qytetarëve që të mos pinë kafe, të mos hanë darkë, ndoshta të mos as bëjnë seks, por të dalin të gjithë në protestën e tyre, mbetet mister se në dorë të kujt duan ta lënë vendin, pas këtij ‘vakuumi’ politik dhe institucional, të kërkuar me insistim nga organizatorët ‘ilegalë’ të protestës! Duke treguar qartë se nuk kërkojnë mundjen apo mposhtjen e kundërshtarit, sipas tyre të kësj klase poliutike, por përjashtim të tij. Po kërkojnë fitore ‘aforfe’, apo në gjuhën popullore e sportive, fitore në tavolinë, pa ndeshje fare!
Teksa kërkojnë një Shqipëri pa klasën aktuale politike, nuk e dimë vërtetë se çfarë kërkojnë as deputetët e zyrtarët e PD, Qori, Lapaj e Shehaj në protestë pas kësaj, bërthama organizatore e bërë publike deri më tani, këmbëngul se janë kundër daljes me një parti politike nga kjo protestë! Këtë e ka deklaruar aktivistja Luçiana Kokaj, e cila është një prej organizatorëve të protestave që po zhvillohen në Tiranë, dhe që është shprehur qartë se për momentin s’ka ide për krijimin e partive politike. Madje e cilësoi absurditet idenë e krijimit të një force politike nga protestat që po zhvillohen. Luçiana, edhe nëse flet në emër të organizatorëve të vërtetë të protestës, deklaroi se në shesh qytetarët kanë dalë për hallet e tyre dhe për keq-qeverisjen e vendit, teksa shtoi se askush s’duhet të marrë përsipër që të negociojë në emër të protestuesve me kryeministrin Rama.
“Nuk ka për momentin ide për krijimin e partive politike, sepse ky është absurdi më i madh që dëgjojmë. Ne nuk jemi aty për parti politike, nuk jami aty për poste në shtet apo për të negociuar në emër të atyre qytetarëve me qeverinë. Nuk besoj se do të ketë njeri guximin që të thotë se do të negocioj në emër të mijëra njerëzve në shesh. Zëri i mijëra qytetarëve aty ka më shumë vlerë se zëri i një personi të vetëm që s’ka bërë asgjë për Shqipërinë, por ka kontribuar në shpopullimin e vendit”, tha mes të tjerash Kokaj. E me këtë qëndrim duket se janë të gjithë!
Atëherë çfarë kërkojnë në realitet të arrijnë me këtë protestë organizatorët e vërtetë të saj! Zvërnecin nuk e kërkojnë tashmë, s’kanë çfarë kërkojnë në fakt, sepse gjithçka është sqaruar, është garantuar dhe është vetë BE dhe Parlamenti Evropian, ata që e kanë konfirmuar këtë! Pra zogjtë quhen të shpëtuar në lagunë! Po ashtu mbrojtja e atdheut nga ‘shitja’ është e garantuar, pasi Sazani nuk do të shitet. Madje as që është kërkuar të blihet nga askush! Mllefin ndaj qeverisë e kanë shpërshfaqur në mënyrë maksimale. Por dhe mllefin ndaj kryeqytetasve, banorëve të të cilit jo vetëm që ia kanë bllokuar rrugët, duke ua nxirë jetën që nga puna, që nga lëvizja, që nga kafja, që nga lëvizja me makinë ku patjetër duhet t’i bien borisë dhe përshëndesin me ‘urdhër’ protestën, e deri në krevat, pra mllefin ndaj qytetarëve të Tiranës e kanë nxjerrë!
Këtë mllef e kanë nxjerrë ndaj kryeqytetasve edhe duke ua mashtruar fëmijët e tyre të mitur, këtyre baballarëve të ‘pandjeshëm’ tiranas, pra 15-16-17 vjeçarët e kryeqytetit, të cilët i kanë nxjerrë në protestë! Në kundërshtim me të gjitha konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi! Nëse dikush ka kundërshtime për këtë që themi, të hyjë në ‘google’ e të kërkojë fëmijën 13 vjeçar që mban fjalime kundër qeverisë në protestë apo videot me pamje të lëvizjes së fëmijëve e të miturve nëpër kryeqytet, pa prindër! I kanë mësuar keq me një fjalë!
Nuk kërkojnë as krijimin e ndonjë partie politike, por vetëm dorëheqjen e Ramës, Berishës dhe tërë klasës aktuale politike, deri dhe futjen e tyre në burg! Pa gjysh kështu, me vetëm me urdhër rruge! Megjithëse e dinë si dreqi se as Rama, as Berisha e askush tjetër s’jep dorëheqjen, i detyruar nga kjo protestë! Dhe sikur të qëndrojnë në bulevard çdo pasdite pafund, duke i mbijetuar bjerrjes së pjesëmarrjes, ditë pas dite! Atëherë pse këmbëngulin vetëm në një pikë?!
Në krye të herës janë axhendat që diktojnë këtë protestë! Që nga ato anti-Trump, e deri tek ato të fqinjëve tanë për dëmtimin e turizmit në Shqipëri këtë vit, por dhe të investimeve serioze për turizmin, siç është ai në Sazan e Zvërnec nga vëllezërit nga Katari dhe dhëndri e vajza e presidentit Donald Trump! Pastaj janë këto axhendat radikale islamike, neomarkiste, albiniste, iraniane e deri ato anti-semite dhe anti-shqiptare të armiqve tanë, që nuk e duan këtë vend! Kuptohet, janë të interesuar të vijojë kështu protesta, pa organizim dhe rrumpallë, edhe këta influencerët dhe turli ‘gjuetarësh’ të ‘like’ dhe ndjekësve në rrjetet sociale. Punë lekësh dhe për të qënë në qendër të vëmendjes! Janë ngjarje falas!
Të kuptohemi, nuk flasim për ata idealistë që dalin në protestë për hallet e tyre, për gjithçka që i shqetëson dhe që janë në të drejtën e tyre! Nuk flasim as për këta të miturit adoleshentë që dalin për të kërcyer, për të kaluar pasditen andej dhe ‘kullotur’ sytë andej këndej në protestë! Janë pjesa më idealiste e kësaj proteste, të vetmit që e kemi të sigurtë se do të dalin më të zhgënjyerit në këtë mes! Flasim për ata që qëndrojnë në prapaskenë e që kanë axhendë të qartë: tentativën për destabilizimin e vendit, largimin e investimeve të huaja, bërjen e këtij vendi të pajetueshëm dhe mbi gjithçka shkatërrimin e sigurisë në vend, pasi vitin e ardhshëm në Tiranë zhvillohet Samiti i NATO-s. Në Tiranë vjen dhe presidenti amerikan, Donald Trump! Duhet siguri!
Ky me sa duket është qëllimi i vërtetë i organizatorëve të ‘padukshëm’ të kësaj proteste! Prandaj duke parë shuarjen e kauzës së Zvërnecit në Tiranë, këta organizatorë, me mbështetje dhe nga fqinjët tanë apo të tjerë, po tentojnë zgjerimin e protestës dhe në Kakome! Problemi i të cilës, zyrtarisht, është zgjidhur me vendime të formës së prerë shumë kohë më parë. Por për këto axhenda anti-shqiptare, po rikthehet në skenë pas 22 vitesh kjo çështje, teksa bëhet thirrje për protestë dhe atje, nga vetë drejtuesi i një prej sillogjeve politike më ekstremiste siç është Federata Pan-epiriote e ish kandidat për kryetar bashkie në Himarë, Petro Gjikuria! Nuk ka dyshime pas kësaj! Të presim ku do të dalë ‘tymi’! Por dhe të shohim se kush qëndron realisht pas saj!
