Mes shkatërrimit dhe pasojave të luftës në Gaza, dy motra 15-vjeçare kanë arritur të kthejnë një ide inovative në një simbol shprese për komunitetin e tyre.
Farah dhe Tala Mousa, nga Gaza, kanë zhvilluar një mënyrë për të transformuar rrënojat e ndërtesave të shkatërruara në tulla funksionale ndërtimi. Për këtë iniciativë, ato u bënë palestinezet e para që fituan Çmimin e Tokës, një vlerësim prestigjioz që këtë vit shoqërohej me një shpërblim prej 12,500 dollarësh.
Motrat kanë bërë të ditur se planifikojnë të përdorin fondet e fituara për të organizuar trajnime, me synimin për t’u mësuar të rinjve dhe banorëve të tjerë teknikën e prodhimit të tullave. Sipas tyre, kjo mund të ndihmojë në përpjekjet për rindërtimin e vendit pa pritur vetëm ndihmë nga jashtë.
“Ne duam që njerëzit të bëhen pjesë e rindërtimit të komuniteteve të tyre, në vend që të presin për ndihmë nga jashtë”, ka deklaruar Farah për BBC.
Historia e tyre vjen në një kohë kur Gaza vazhdon të përballet me pasoja të rënda humanitare dhe ekonomike. Sipas vlerësimeve, rreth 90% e popullsisë, ose afro 1.9 milionë njerëz, janë zhvendosur që nga fillimi i luftës në vitin 2023, ndërsa dëmet ekonomike janë llogaritur në rreth 70 miliardë dollarë./mxh
