Last Updated on 19/06/2026 by Monika
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ka bërë thirrje për një Bashkim Evropian më të integruar, më të fortë financiarisht dhe më të hapur ndaj dialogut me pjesën tjetër të botës. Gjatë samitit të Këshillit Evropian në Bruksel, ai theksoi se Evropa duhet të ketë kapacitetet financiare të nevojshme për të luajtur një rol të rëndësishëm në ekonominë globale. “Evropa nuk mund të jetë një fuqi gjeoekonomike nëse nuk ka forcën financiare për të qenë e tillë”, deklaroi Sánchez, duke kërkuar një buxhet afatgjatë më ambicioz për BE-në, që të forcojë konkurrueshmërinë dhe autonominë strategjike të bllokut përballë sfidave ndërkombëtare. Ai mbështeti gjithashtu thellimin e tregut të përbashkët evropian, heqjen e pengesave të brendshme dhe harmonizimin e rregullave ekonomike. Sipas tij, strategjia e diversifikimit tregtar dhe zgjerimi i marrëveshjeve me partnerë si Mercosur, Meksika dhe India janë thelbësore për një Evropë më të hapur dhe më konkurruese. Qëndrimi i Sánchez vjen në kontrast me disa vende anëtare të BE-së, të udhëhequra nga Franca, të cilat kërkojnë një qasje më të ashpër ndaj Kinës. Kryeministri spanjoll, i cili kohët e fundit zhvilloi takime të nivelit të lartë në Pekin me presidentin kinez Xi Jinping, argumentoi se dialogu me rajone të tjera është i domosdoshëm dhe se Evropa duhet të ecë përpara me integrimin e saj, pa hequr dorë nga vlerat themelore.
*Kundër qendrave të pritjes së emigrantëve jashtë BE-së*
Sánchez foli edhe për politikën migratore evropiane, duke kundërshtuar idenë e ngritjes së qendrave të pritjes ose kthimit të emigrantëve në vende jashtë Bashkimit Evropian. Ai e cilësoi këtë model si një “tymnajë politike” që nuk ofron zgjidhje reale dhe që dërgon mesazhin e gabuar tek vendet e origjinës dhe tranzitit. Rregullorja e re e BE-së për kthimin e emigrantëve, e miratuar në fillim të qershorit, u lejon shteteve anëtare të krijojnë qendra të tilla jashtë territorit evropian. Modeli është frymëzuar nga iniciativa e kryeministres italiane Giorgia Meloni, e cila ka ngritur dy qendra të tilla në Shqipëri.
*Solidaritet me Melonin pas deklaratave të Trump*
Pavarësisht mosmarrëveshjeve për çështjen e migracionit, Sánchez shprehu solidaritet me Melonin pas komenteve të presidentit amerikan Donald Trump. Trump pretendoi se kryeministrja italiane i ishte lutur për një fotografi gjatë samitit të G7, duke shtuar se kishte pranuar vetëm sepse “i erdhi keq” për të. “Kam shprehur solidaritetin tim përballë këtij sulmi, të cilin sinqerisht nuk di as si ta përshkruaj”, tha Sánchez. Deklaratat e Trump kanë shkaktuar reagime të forta në Itali, deri në pikën që ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, anuloi një vizitë të planifikuar në SHBA, duke i cilësuar komentet e presidentit amerikan si “serioze dhe fyese” për të gjithë Italinë./mxh
