Last Updated on 20/06/2026 by Anisa
Një sjellje e rrallë dhe e paprecedentë është filmuar në Nepal, ku një tigreshë është parë duke u kujdesur për këlyshët e një femre tjetër, ndërsa kjo e fundit ishte larguar për të gjuajtur.
Pamjet, të realizuara nga një ekip i BBC-së, po tërheqin vëmendjen e shkencëtarëve pasi sfidojnë njohuritë e deritanishme mbi jetën sociale të tigrave.
Tigrat njihen si kafshë të vetmuara dhe shumë territoriale. Femrat zakonisht shmangin kontaktin me njëra-tjetrën dhe rrallë ndajnë hapësirën apo kujdesin për të vegjlit. Pikërisht për këtë arsye, dokumentimi i një tigreshe që bën “babysitter” për këlyshët e një tjetre konsiderohet një ngjarje e jashtëzakonshme.
Pamjet janë pjesë e dokumentarit “Tiger Island”, i cili ndjek jetën e tigrave në një ishull të vogël prej vetëm 4 kilometrash katrorë në Nepalin perëndimor. Pavarësisht përmasave të vogla, zona ka një nga përqendrimet më të larta të tigrave në botë. Gjatë dy muajve xhirime me dronë, ekipi dokumentoi këtë sjellje të pazakontë.
Shpjegimi më i mundshëm lidhet me lidhjet familjare. Tigërresha që kujdesej për këlyshët, e quajtur Goma, është nëna e Juginit, tigreshës që kishte dalë për gjueti. Kjo do të thotë se ajo po kujdesej për nipërit e saj. Ekspertët mendojnë gjithashtu se prania e saj mund të ketë shërbyer si mbrojtje ndaj meshkujve, të cilët në disa raste mund të paraqesin rrezik për këlyshët.
Vëzhgimi i kësaj sjelljeje në natyrë, pa ndërhyrje njerëzore, e bën zbulimin edhe më të rëndësishëm.
Shkencëtarët tani po pyesin nëse ky rast përfaqëson një përjashtim të rrallë apo mund të ndryshojë mënyrën se si e kuptojmë jetën sociale të këtyre grabitqarëve madhështorë.
