Last Updated on 20/06/2026 by Anisa
Analisti Fatos Lubonja ka komentuar deklaratat e kryeministrit Edi Rama ndaj tij gjatë ditës së sotme në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së. Në një intervistë për News24, ai deklaroi se tentativa e kryeministrit për ta paraqitur atë si “persekutor” është e dobët dhe e çalë.
“Shikoni Fatos Lubonjën e kam sjellë në mes si emër dhe një here pas shume e shumë vitesh që me të njëjtën pafytyrësi të atyre që mbronin gënjeshtrën që e burgosi dhe i kërkonin llogari për gjëra që s’kishte bërë, duke i prezantuar dëshmitarë të rremë dhe duke i ngritur akuza haluçinante, kërkon llogari nga unë për Arubën. Edi Rama thotë duhet të japë llogari për Arubën? Llogaria jepet mbi bazën e fakteve. Dhe kurrë si takon të akuzuarit që të prodhojë që ai nuk është ai për të cilën akuzohet. Çfarë vlere ka që unë them nuk klam qenë kurrë në Aruba, nuk e di fare për çfarë bëhet fjalë çfarë ndodh në Aruba. S’ka asnjë vlerë , sepse ndërkohë Aruba është bërë e vërtetë, është nxjerre në fushën e algoritmit, siç është bërë e vërtetë që unë jam konsumues kokaine. “Ik o drogaxhi” është refren që më ndjek dhe është bërë i vërtetë, siç është e vërtetë që unë kam akuzuar tim atë për marrëdhënie me bashkëshorten time. Algoritmi i ka bërë këto të vërteta.”, tha Rama.
Lubonja tha se Rama ka në dorë të gjitha pushtetet, ndërsa ai vetë ka vetëm fuqinë e fjalës së lirë.
“Kjo akuza për të më bërë mua persekutor si ata të së kaluarës është e dobët dhe çalon shumë sepse ata ishin njerëz që kishin pushtet, policinë e sigurimin dhe ne ishim të dobët e të pafuqishëm. Ndërkohë që sot është e kundërta, pushtetin e ka ky zotëria. Ka policinë, të gjitha.
Unë kam forcën dhe pushtetin e fjalës së lirë, kështu që të më krahasosh e ata është i dobët dhe nuk qëndron. Unë thjesht kam bërë detyrën time si intelektual e gazetar duke ngritur problemet. Ia kam thënë që kur u bë kryetar bashkie që je i rrezikshëm, duhet të ikësh nga politika. Je i rrezikshëm edhe për politikën dhe për vendin, por edhe për veten tënde.”, tha ai.
Lubonja, theksoi se komentet e tij për këtë çështje bazohen në atë që lidhet me dosjen e SPAK që ka qarkulluar në media. Sipas tij, kryeministri ka përgjegjësi edhe për faktin se në dokumente përmenden përfaqësues të autoriteteve shqiptare.
“Lidhur me çështjen Aruba, unë mesa kujtoj, se kam dhënë intervista, jam pyetur nga gazetari dhe midis të tjerave duke folur për ligjërimet e Ramës. Kam thënë se duhet të përgjigjet për Arubën. Këtë nuk po e shpif unë por e kam gjetur tek dosjet e SPAK, që pjesërisht kanë dalë nëpër media. Aruba, dhe jo vetëm, edhe disa mbledhje të tjera, edhe në Spanjë, Gjermani, që janë interceptuar nga shërbimet belge e spanjolle, që ia kanë çuar SPAK, del që aty ka një projekt që bën krimi i organizuar.
Protagonisti kryesor është Artur Shehu dhe të tjerë që planifikojnë se si do të sjellin paratë në Evropë. E dyta janë marrë me çështjen e pronave në Shqipëri, që i kanë tjetërsuar. Dhe e treta me pastrimin e tyre nëpërmjet kullave dhe resorteve turistike. Këto i thotë dosja e SPAK.
Pse duhet të përgjigjet Rama për këtë? Jo vetëm se në ato dokumente thuhet se ka pasur përfaqësues të lartë të autoriteteve shqiptare, por edhe sepse nëse ka një njeri që ka firmën për kullat që përmenden aty dhe resortet është vetë Rama. Logjika të çon që minimalisht ky duhet hetuar edhe për pastrim parash të krimit të organizuar.
Duhet të japë edhe përgjegjësi për vendimet e tij se mund të thotë se nuk e di se çfarë ishin ata kriminelë. Ka edhe përgjegjësi politike e morale.”, u shpreh Lubonja.
