Nga: Marenglen Kasmi
Protesta e shumëpërfolur me pjesëmarrjen e diasporës u zhvillua dje. Madje, një pjesë e protestuesve vendosën të qëndrojnë gjatë natës përpara Kryeministrisë, duke lënë të kuptohet se ngujimi në bulevard mund të jetë skenari i radhës.
Si zakonisht, debati publik u përqendrua te numrat e pjesëmarrësve. Por, përtej luftës së zakonshme të shifrave, më interesant se numri i protestuesve është përbërja e protestës.
Sipas organizatorëve dhe raportimeve mediatike, një pjesë e konsiderueshme e pjesëmarrësve erdhën nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe vende të ndryshme të Europës. Sipas tyre, vetëm nga Kosova flitej për dhjetëra mijëra pjesëmarrës. Kjo pritej, pasi prej ditësh, rrjetet sociale ishin mbushur me thirrje për mobilizim, me video nga kolonat e automjeteve që udhëtonin drejt Tiranës dhe me materiale propaganduese që synonin ta paraqisnin protestën si një moment historik për shqiptarët kudo që ndodhen.
Pikërisht këtu qëndron çështja që meriton diskutim. Jo sa vetë morën pjesë në protestë, por kush janë ata dhe në emër të kujt flisnin.
Prej ditësh dëgjojmë të flitet për “diasporën” që po vjen në protestë. Por çfarë kuptojmë saktësisht me këtë term? Në kuptimin klasik, diaspora nuk është thjesht çdo emigrant që jeton jashtë vendit. Ajo është një bashkësi që ruan identitet, kujtesë dhe lidhje të veçanta me atdheun.
Në rastin konkret, kemi të bëjmë me një realitet shumë më kompleks. Mes protestuesve gjejmë emigrantë shqiptarë nga vende të ndryshme të Europës, shqiptarë nga Kosova, shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, por edhe individë me bindje, motive dhe pritshmëri të ndryshme politike. E vetmja gjë që i bashkon është një objektiv i përbashkët politik: protesta kundër qeverisë shqiptare.
Për këtë arsye, ndoshta para se të flasim për “diasporën”, duhet të sqarojmë se për kë po flasim në të vërtetë. Sepse termi krijon përshtypjen e një trupi unik e homogjen, ndërsa realiteti duket shumë më i larmishëm. Me kalimin e kohës do të jemi më të qartë edhe për këtë gjë.
Nuk po flitet më për Zvërnecin. Nuk po flitet për mjedisin, turizmin apo korrigjimin e një politike të caktuar qeveritare. Prej ditësh mesazhi i protestës është bërë i qartë: dorëheqja e Edi Ramës, rrëzimi i qeverisë, kalimi në revolucion dhe ndërrimi i gjithë sistemit.
Nuk është hera e parë që aktorë politikë jashtë Republikës së Shqipërisë përfshihen në zhvillimet e saj të brendshme. Vetëvendosja e Albin Kurtit nuk është kufizuar vetëm në deklarata apo qëndrime politike. Ajo ka mbështetur publikisht kandidatë në zgjedhjet shqiptare dhe ka tentuar të krijojë përfaqësim të drejtpërdrejtë politik në Shqipëri. Në rrethana normale, këto zhvillime mund të shihen si pjesë e marrëdhënieve të veçanta që ekzistojnë mes dy shteteve shqiptare. Por situata ndryshon kur përfshirja nuk kufizohet më te mbështetja politike apo te fushatat elektorale, por kalon në mobilizime që kërkojnë rrëzimin e qeverisë së Shqipërisë. Këtu nuk bëhet më fjalë për solidaritet kombëtar, por për përfshirje të drejtpërdrejtë në një konflikt politik që duhet të zgjidhet nga qytetarët e Republikës së Shqipërisë.
Le të jemi të qartë. Askush nuk mund t’u kërkojë shqiptarëve të Kosovës apo diasporës të mos shqetësohen për Shqipërinë, çka do të ishte absurde. Është normale që çdo shqiptar kudoqoftë të ndjekë zhvillimet politike, të ketë bindjet e tij dhe madje të zemërohet me atë që ndodh në Tiranë. Por emocioni është një gjë dhe përgjegjësia politike është diçka tjetër. E thënë shkurt, solidariteti emocional i çdo shqiptari jashtë Shqipërisë nuk mund të shndërrohet automatikisht në legjitimitet politik.
Demokracia funksionon mbi një parim të thjeshtë: qeveritë i zgjedhin qytetarët e një shteti dhe po ata qytetarë i largojnë. Në momentin që ky parim fillon të zbehet, atëherë hapet një derë që mund të sjellë pasoja të paparashikueshme. Sot mund të duket normale që shqiptarë nga jashtë të vijnë për të protestuar kundër një qeverie. Nesër mund të vijnë të tjerë për të mbështetur një qeveri tjetër. Pasnesër mund të kemi mobilizime të organizuara nga grupime të ndryshme politike në të dy anët e kufirit. Dhe kështu, pak nga pak, politika shqiptare pushon së qeni një çështje e sovranit shqiptar.
Por ka edhe një aspekt tjetër të kësaj historie. Një protestë që pretendon të flasë në emër të shumicës së shqiptarëve duhet ta gjejë forcën e saj para së gjithash brenda Shqipërisë. Ajo duhet të mbështetet te qytetarët që jetojnë këtu, votojnë këtu dhe përballen çdo ditë me pasojat e vendimeve politike të qeverisë.
Kësisoj, mobilizimi i njerëzve nga jashtë Shqipërisë nuk është tregues force. Në rrethana të caktuara mund të jetë tregues i së kundërtës. Mund të jetë shenjë se protesta nuk po arrin ende të prodhojë mbështetjen shoqërore që pretendon se përfaqëson.
Në fund të fundit, çdo qeveri në demokraci rrëzohet në dy mënyra: ose humbet zgjedhjet, ose humbet mbështetjen e shoqërisë. Asnjëra prej tyre nuk mund të zëvendësohet nga kolonat e makinave që vijnë nga jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë.
Për ta kuptuar më mirë problemin, mjafton ta shohim situatën në kahun e kundërt. Çfarë do të ndodhte nëse nesër, sa herë që do të shpërthente një krizë politike në Kosovë, nga Shqipëria do të niseshin qindra automjete me protestues drejt Prishtinës? Çfarë do të ndodhte nëse shqiptarë nga Tirana, Durrësi apo Vlora do të organizoheshin për të marrë pjesë në protesta që kërkojnë rrëzimin e qeverisë së Kosovës?
Si do të reagonin shqiptarët e Kosovës? Me shumë gjasa, një pjesë e mirë e tyre do ta shihnin këtë si një ndërhyrje të papërshtatshme në punët e brendshme të Kosovës. Pikërisht këtu qëndron thelbi i problemit. Parimet demokratike nuk mund të vlejnë vetëm kur na interesojnë. Po ashtu, ato nuk mund të zëvendësohen as nga nacionalizmi deklarativ.
Duke ndjekur zhvillimet e javëve të fundit, më ka ardhur shpesh në mendje një analogji krejt e ndryshme: Kombëtarja shqiptare e futbollit ka pasur për vite me radhë një problem të njohur. Luante mirë për pjesën më të madhe të ndeshjes, por shpesh gjithçka prishej sapo hynte minuta e tetëdhjetë. Nuk e di pse, por ndonjëherë kam përshtypjen se edhe si shoqëri kemi të njëjtin problem.
Për herë të parë pas shumë dekadash, Shqipëria duket më afër se kurrë anëtarësimit në Bashkimin Europian. Edhe vetë institucionet e BE-së flasin për një mundësi reale që ky proces të përmbyllet brenda kësaj dekade. Pikërisht në këtë moment vendi hyn në një fazë tensioni shoqëror e politik. Mos vallë kemi hyrë në minutën e tetëdhjetë?
Nuk po them se protesta është kundër integrimit europian. Nuk po them as që pas saj fshihen skenarë të errët antishqiptarë. Përvoja historike na mëson se dëmet më të mëdha nuk vijnë gjithmonë nga komplotet, por më shpesh nga paaftësia për të kuptuar pasojat e veprimeve tona.
Një protestë pa drejtim të qartë, pa strukturë përfaqësimi dhe pa program të artikuluar politik mund të bëhet lehtësisht hapësirë ku projektohen interesa shumë të ndryshme. Disa mund të kërkojnë ndryshim e reformim. Të tjerë mund të kërkojnë thjesht rrëzimin e qeverisë, pa menduar se çfarë vjen më pas. Por, një problem më madhor përbën fakti se një lëvizje pa kokë nuk e kontrollon dot më energjinë që ka prodhuar vetë. Në një hapësirë të tillë mund të projektohen interesa e objektiva shumë të ndryshme nga ato që kanë pasur nismëtarët e saj.
Dhe në fund kam vetëm një sugjerim. Protestoni e mos ndaloni, pasi është e drejtë kushtetuese.
Kundërshtoni qeverinë, kundërshtoni opozitën, kritikoni sistemin e kë të doni, por mos shani e anatemoni askënd! Demokracia pikërisht për këtë ekziston. Por nëse synimi juaj është ndryshimi, atëherë herët a vonë duhet të bëni hapin tjetër. Zgjidhni përfaqësuesit tuaj e shkruani programin tuaj politik të ndryshimit. Një revolucion që nisi për flamingot nuk mund të vazhdojë duke fshehur kokën si struci sa herë që pyetet për programin e përfaqësimin e tij. Transparenca është kushti i parë i një demokracie funksionale. Mos kërkoni vetëm revolucion, por tregoni edhe çfarë do të vijë më pas.
Kur gjatë kryengritjes kundër princ Wied-it në vitin 1914 përfaqësuesi gjerman i KNK-së pyeste fshatarët e mbledhur në Shijak për arsyen e grumbullimit, ata përgjigjeshin se po bënin revolucion, pa qenë në një mendje se kundër kujt dhe për çfarë. Fundi i këtij “revolucioni” është i njohur.
Prandaj, dilni në mexhlis të politikës. Në fund të fundit, çfarë ju pengon, përderisa thoni se shumica e shqiptarëve janë me ju? Nuk keni pse t’i trembeni votës, kërkojeni atë. Fundja, sheshi mund të tregojë zemërimin e pakënaqësinë, por vetëm vota tregon shumicën dhe sjell ndryshimin./Kb
