Nga Roland Lami
Sot është dita e 22-të e protestës. Një protestë që ka dominuar debatin publik, ka mobilizuar qytetarë, ka prodhuar reagime politike brenda dhe jashtë Shqipërisë dhe ka polarizuar opinionin. Në këtë situatë ka vetëm një figurë që vazhdon të mungojë me një konsekuencë mbresëlënëse: Presidenti i Republikës. Asnjë deklaratë, asnjë takim, asnjë përpjekje për të kuptuar apo adresuar situatën. Sikur protesta të mos ekzistojë. Sikur vendi të mos ketë tensione. Sikur institucioni që ai drejton të mos ketë asnjë lidhje me jetën publike.
Që nga viti 1992 Shqipëria ka pasur presidentë të fortë, konfliktualë, protagonistë, ndonjëherë edhe tej mase ndërhyrës por një president kaq të padukshëm nuk kemi pasur kurrë. Në fakt, presidenti aktual duket se ka arritur një lloj përsosmërie institucionale krejt të veçantë ai shkëlqen pikërisht përmes mungesës së tij. Sa më pak shfaqet, aq më pak gabon. Sa më pak flet, aq më pak ekspozon kufijtë e tij politikë. Dhe ndoshta kjo nuk është rastësi. Sepse sa herë është përpjekur të jetë i pranishëm në debatin publik, ka krijuar më shumë konfuzion sesa qartësi, më shumë pyetje sesa përgjigje. Në këto kushte, heshtja duket se është shndërruar nga zgjedhje në strategjinë e tij më të suksesshme.
Paradoksi është se askush nuk pret nga presidenti të zgjidhë krizën, të udhëheqë protestën apo të sfidojë qeverinë. Por pritet minimalisht të sillet si president. Kushtetuta nuk e ka konceptuar si dekor shtetëror që shfaqet në ceremoni, pret ambasadorë, bën peligranazhe fetare dhe shpërndan dekorata. Edhe në një sistem parlamentar të kufizuar, presidenti mbetet figura që duhet të kujtojë ekzistencën e interesit publik mbi interesat partiake.Mirëpo presidenca aktuale duket se ka shpikur një rol të ri, atë të presidentin që shfaqet vetëm aq sa për të dëshmuar se institucioni ekziston, por jo aq sa për të krijuar përshtypjen se ai ka ndonjë rol në zhvillimet e vendit.
Në këtë kuptim, presidenti aktual është produkti më i arrirë i modelit politik të ndërtuar pas vitit 2008. Berisha dhe Rama ëndërruan një presidencë që të mos krijonte probleme për askënd sidomos në të tilla situata Ai e ka tejkaluar edhe këtë pritshmëri pasi ai nuk prodhon debat, nuk prodhon ndikim, nuk prodhon autoritet. Nëse presidentët e mëparshëm akuzoheshin se ndërhynin shumë, ky duket i vendosur të provojë se mund të mos ndërhyjë fare.
Ndërsa protesta vazhdon, institucionet përplasen dhe debati publik bëhet gjithnjë e më i ashpër, Presidenca vazhdon të qëndrojë në një dimension paralel. Jo si arbitër, jo si balancues, jo si autoritet moral, por si dëshmia më e qartë se si një institucion mund të ekzistojë fizikisht dhe të mungojë politikisht. Ndoshta kjo është arritja më e madhe e presidentit aktual të na bëjë të kuptojmë se një post mund të jetë i zënë, ndërsa funksioni mund të mbetet bosh.
