Policia australiane ka realizuar sekuestrimin më të madh të kokainës në historinë e vendit, duke konfiskuar 2.7 ton drogë të fshehur në një sistem bunkerësh nëntokësorë në perëndim të Sidneit.
Sipas autoriteteve, kokaina u zbulua të premten në ndarje të fshehta të ndërtuara nën dysheme të rreme në tre kontejnerë transporti, të vendosur në një pronë në zonën e Londonderry. Vlera e drogës në tregun ilegal llogaritet të arrijë në rreth 816 milionë dollarë australianë, ose afërsisht 500 milionë euro.
Gjatë operacionit u arrestuan dy persona, të moshës 21 dhe 25 vjeç, të cilët dyshohet se tentuan t’i shmangeshin policisë. Ata janë akuzuar për posedim të një sasie komerciale të një droge të importuar në mënyrë të paligjshme dhe rrezikojnë burgim të përjetshëm nëse shpallen fajtorë.
Hetimet paraprake tregojnë se kokaina ishte kontrabanduar në Australi përmes zonës së Midge Point në Queenslandin Verior, me urdhër të një grupi të krimit të organizuar.
Operacioni, i koduar “Minjiang”, nisi në muajin maj pasi autoritetet zbuluan 40 kilogramë kokainë që notonin pranë një rampe varkash në Midge Point. Si pjesë e hetimeve, policia ka arrestuar dhe akuzuar edhe gjashtë persona të tjerë në Queensland dhe New South Wales.
Autoritetet kanë ndaluar gjithashtu një anije të dyshuar si pjesë e rrjetit të kontrabandës në Ishujt Solomon, ndërsa hetimet për origjinën e drogës dhe personat e tjerë të përfshirë vazhdojnë.
Komandanti i Policisë Federale Australiane, Stephen Jay, deklaroi se rasti tregon nivelin e lartë të organizimit të rrjeteve kriminale ndërkombëtare dhe gatishmërinë e tyre për të përdorur metoda të sofistikuara për të siguruar fitime të mëdha nga trafiku i drogës.
Australia konsiderohet një nga tregjet më fitimprurëse për kokainën, për shkak të çmimeve të larta të shitjes, ndërsa raportet ndërkombëtare tregojnë se Australia dhe Zelanda e Re kanë ndër nivelet më të larta të konsumit të kokainës në botë./ kb
