Last Updated on 22/06/2026 by Kesjana
Të jetosh gjatë dhe me shëndet të mirë nuk varet vetëm nga mënyra e jetesës. Një studim i ri ka identifikuar disa variante gjenetike që mund të ndihmojnë njerëzit të qëndrojnë të shëndetshëm për më shumë vite, duke vonuar shfaqjen e sëmundjeve deri në 13 vjet.
Jetëgjatësia mesatare në botë është rritur ndjeshëm gjatë shekullit të kaluar, duke arritur rreth 80 vjet në shumë vende. Megjithatë, numri i viteve të jetuara në shëndet të plotë nuk është rritur me të njëjtin ritëm. Kjo e bën gjithnjë e më të rëndësishme të kuptohet pse disa njerëz arrijnë moshë të thyer pa probleme serioze shëndetësore.
Një studim i prezantuar në konferencën vjetore të Shoqatës Evropiane të Gjenetikës Njerëzore në Göteborg të Suedisë sugjeron se sekreti mund të fshihet edhe në trashëgiminë familjare. Shkencëtarët nga Qendra Mjekësore Universitare e Universitetit të Leidenit në Holandë zbuluan se personat me prindër jetëgjatë zhvillojnë sëmundje kardiometabolike mesatarisht 13 vjet më vonë sesa bashkëmoshatarët e tyre me histori familjare më pak të favorshme.
Për të kuptuar më mirë këtë fenomen, studiuesit analizuan ADN-në e 212 grupeve të vëllezërve dhe motrave nga familje me jetëgjatësi të lartë. Ata identifikuan katër rajone të gjenomit ku kishte më shumë gjasa të ndodheshin gjenet e lidhura me jetëgjatësinë, duke ngushtuar kërkimin nga rreth 20.000 gjene në vetëm 350.
Në fund, u veçuan 12 variante gjenetike që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në kohëzgjatjen e jetës së shëndetshme. Një nga zbulimet më interesante lidhet me gjenin CGAS, i cili aktivizon reagimin inflamator të organizmit kur zbulon ADN të dëmtuar ose praninë e patogjenëve.
Sipas studiuesve, një variant i veçantë i këtij gjeni, i pranishëm tek familjet jetëgjata, mund të ndihmojë në mbajtjen nën kontroll të inflamacionit. Aktivizimi i tepërt i CGAS mund të shkaktojë inflamacion kronik, i cili lidhet me shumë sëmundje të moshës së tretë. Ndërsa ky variant duket se redukton reagimin inflamator pa kompromentuar aftësinë e trupit për të luftuar infeksionet dhe për të riparuar dëmtimet.
Megjithëse rezultatet janë premtuese, shkencëtarët theksojnë se nevojiten studime të tjera për të konfirmuar rolin e këtyre varianteve gjenetike tek njerëzit dhe për të kuptuar më mirë ndikimin e tyre në organe dhe inde të ndryshme.
Ekspertët besojnë se identifikimi i gjeneve që favorizojnë një jetë më të gjatë dhe më të shëndetshme mund të hapë rrugën për trajtime dhe strategji të reja që do t’i ndihmonin më shumë njerëz të plaken me më pak sëmundje dhe me cilësi më të mirë jete./kb
