Gjykata Supreme e Spanjës dënoi sot ish-ministrin e Transportit, Jose Luis Abalos me 24 vjet e tre muaj burg për vepra penale korrupsioni të lidhura me blerjen e maskave për fytyrën gjatë pandemisë së COVID-19.
Ky është vendimi i parë në të ashtuquajturin rast “Koldo”, një skandal i përhapur korrupsioni që ka tronditur Partinë Socialiste të kryeministrit Pedro Sanchez dhe ka shkaktuar hetime të shumta. Gjykata dënoi ish-ministrin Abalos, një ish-aleat i ngushtë i Sanchezit dhe dikur sekretar organizativ i Partisë Socialiste në pushtet, për “organizatë kriminale, ryshfet, përvetësim dhe abuzim me ndikimin”.
Ish-këshilltari i Abalosit, Koldo Garcia u dënua me mbi 19 vjet burg. Biznesmeni Victor de Aldama mori një dënim prej katër vjet e gjysmë, por iu kursye burgimi i menjëhershëm nëse përmbush kushte të caktuara.
Prokurorët argumentuan se të tre personat formuan “rrjet kriminal” që përdori pozicionin e Abalosit si ministër i Transportit për të përfituar fitime të paligjshme përmes kontratave publike të dhëna gjatë pandemisë. Gjykata zbuloi se një kompani e lidhur me Aldamën mori kontrata për të furnizuar 13 milionë maska për dy subjekte shtetërore të transportit gjatë pandemisë.
Gjyqtarët arritën në përfundimin se Abalosi mori 10 mijë euro në muaj nga skema dhe se dy gra të lidhura me ish-ministrin u punësuan nga kompanitë publike.
Sipas vendimit, Aldama siguroi strehim dhe përfitime të tjera për Abalosin dhe njerëz të afërt me të, përfshirë apartamente në Madrid dhe në jug të Spanjës. Gjykata zbuloi se disa nga këto përfitime ishin gjithashtu të lidhura me veprime që përfshinin shpëtimin e kompanisë “Air Europa” dhe dhënien e një licence hidrokarburesh.
Çështja është bërë një nga skandalet më të dëmshme politikisht të korrupsionit me të cilat përballet qeveria e kryeministrit Sanchez, megjithëse Abalos u përjashtua nga Partia Socialiste pasi u përfshi në hetim./mxh