Alan Greenspan, i konsideruar për vite me radhë si një nga figurat më me ndikim në historinë ekonomike të Shteteve të Bashkuara, ka ndërruar jetë në moshën 100-vjeçare.
Lajmi u konfirmua nga bashkëshortja e tij, Andrea Mitchell, e cila bëri të ditur se Greenspan u nda nga jeta në shtëpinë e tij si pasojë e komplikacioneve të shkaktuara nga sëmundja e Parkinsonit.
“Ai ishte një njeri i jashtëzakonshëm që ndihmoi në formësimin e ekonomisë amerikane për dekada me radhë, nën administrata të të dyja krahëve politikë, por gjithmonë tregoi ndershmëri në pranimin e gabimeve të tij”, deklaroi Mitchell.
Greenspan drejtoi Federal Reserve nga gushti i vitit 1987 deri në janar të vitit 2006, duke ushtruar një ndikim të jashtëzakonshëm mbi ekonominë amerikane. Gjatë mandatit të tij, SHBA-të përjetuan zgjerimin e dytë më të gjatë ekonomik në histori, me një dekadë të pandërprerë rritjeje nga viti 1991 deri në vitin 2001.
Ai fitoi reputacionin e një “maestroje” të ekonomisë falë vendimeve të tij për të mos rritur normat e interesit përballë frikës së inflacionit, i cili në fund nuk u materializua. Kjo strategji kontribuoi në një periudhë të gjatë prosperiteti ekonomik për Shtetet e Bashkuara.
Një nga parashikimet më të rëndësishme të Greenspan ishte bindja se rritja e produktivitetit në mesin e viteve ’90 do të mbante inflacionin nën kontroll. Ky vlerësim vazhdon të konsiderohet edhe sot si një shembull i rëndësisë së gjykimit njerëzor në politikën monetare.
Megjithatë, trashëgimia e tij mbetet e debatueshme. Pas krizës financiare globale të viteve 2007-2009, shumë kritikë e akuzuan se politikat e tij kontribuuan në krijimin e flluskave financiare dhe në kushtet që çuan në kolapsin ekonomik.
Pavarësisht kritikave, Greenspan konsiderohet një nga figurat më të rëndësishme të bankës qendrore amerikane. Ai udhëhoqi ekonominë e SHBA-ve gjatë disa prej sfidave më të mëdha, përfshirë rrëzimin e bursës në “Black Monday” të vitit 1987, recesionin e viteve 1990-1991, krizën financiare aziatike dhe ruse të viteve 1997-1998, shpërthimin e flluskës së kompanive teknologjike në vitin 2000, si dhe pasojat ekonomike të sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.
Në një deklaratë zyrtare, Rezerva Federale shprehu keqardhjen për humbjen e ish-drejtuesit të saj.
“Alan Greenspan solli disiplinë të fortë analitike në politikën monetare dhe ndihmoi në ndërtimin e besueshmërisë që mbetet një nga asetet më të rëndësishme të Rezervës Federale”, thuhet në reagimin e institucionit.
Vetëm pak ditë para vdekjes së tij, emri i Greenspan u rikthye në vëmendje pasi kryetari aktual i Fed-it, Kevin Warsh, u krahasua me të për stilin e shkurtër dhe të drejtpërdrejtë të komunikimit në deklaratat e politikës monetare.
Me një karrierë që shtrihet në disa dekada dhe që përfshin periudha të mëdha prosperiteti, por edhe debate të forta mbi rolin e bankave qendrore, Alan Greenspan do të mbetet një nga figurat më të rëndësishme dhe më të diskutueshme në historinë moderne të ekonomisë amerikane./mxh
