Last Updated on 23/06/2026 by Anisa
Simon Zereci është emëruar Drejtor i Përgjithshëm i Gardës së Republikës së Shqipërisë, pas dorëheqjes së drejtuesit të mëparshëm Ermal Onuzi.
Sipas njoftimeve zyrtare, Zereci është një oficer karriere me mbi tre dekada përvojë në strukturat e sigurisë dhe në Gardën e Republikës, ku ka shërbyer në disa pozicione drejtuese dhe operacionale, përfshirë edhe drejtimin e Njësisë Speciale.
Ai e ka nisur karrierën ushtarake në vitin 1986 në Ministrinë e Mbrojtjes dhe më pas iu bashkua Gardës së Republikës, ku ka kaluar nga detyra të nivelit bazë deri në poste të larta komanduese.
Gjatë karrierës së tij, Zereci ka mbajtur edhe gradën “Drejtues i Lartë” dhe është trajnuar në disa programe brenda dhe jashtë vendit, të fokusuara në sigurinë e personaliteteve dhe mbrojtjen e institucioneve shtetërore.
Njoftimi i plotë:
Në zbatim të nenit 17 të ligjit 33/2021 “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, Z. Simon Zereci është emëruar Drejtor i Përgjithshëm i Gardës së Republikës dhe mban gradën Drejtues Madhor.
Drejtues Madhor Simon Zereci është lindur në Tiranë. Ka përfunduar shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej” dhe më pas ka ndjekur studimet e larta në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve, në specialitetin “Gjithëarmësh”.
Karrierën ushtarake e nisi në vitin 1986 në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes, fillimisht si Komandant Toge në Repartin Ushtarak Zadrimë, më pas si Shef Stërvitjeje e të tjerë. Në vitin 1988 iu bashkua Gardës së Republikës, ku shërbeu në një sërë funksionesh, si: Komandant Toge; Specialist për Ruajtjen Fizike në Drejtorinë e Sigurisë së Personaliteteve të Larta Shtetërore; Komanant Toge në Kompaninë Operative; Zëvendëskomandant i Kompanisë Operative; Përgjegjës i grupit të shoqërimit të Ministrit të Rendit Publik; Oficer shoqërues pranë Zyrës për Mbrojtjen e Personaliteteve; Shoqërues në grupin mbështetës në Degën e Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Personaliteteve të Larta Shtetërore; Komandant Grupi në Njësinë Speciale; e të tjerë.
Që nga viti 2013 e në vijim, ka mbajtur funksionin e Komandantit të Njësisë Speciale në Gardën e Republikës.
Gjatë karrierës së tij të gjatë ushtarake, është dalluar për përkushtimin dhe profesionalizmin e lartë, duke rrezikuar edhe jetën në krye të detyrës. Në shtator të vitit 1998 është plagosur gjatë shërbimit, në krye të detyrës, teksa mbante funksionin e Zëvendëskomandantit të Kompanisë Operative.
Z. Zereci ka kryer një sërë trajnimesh dhe kualifikimesh brenda dhe jashtë vendit në fushën e sigurisë, si: kurs për mbrojtjen e personaliteteve (VIP) në Egjipt; trajnim për sigurimin e personaliteteve të larta shtetërore me instruktorë amerikanë; program ndërkombëtar sigurie i zhvilluar nga specialistë të sigurisë amerikane; trajnim në teknikat e avancuara të vetëmbrojtjes “Krav Maga Maor”, e të tjerë.
Gjatë karrierës së tij në Gardën e Republikës ka patur vlerësime shumë të mira pune.
