Last Updated on 24/06/2026 by Monika
Kombëtarja U-15 regjistroi një tjetër fitore ndaj Maqedonisë së Veriut, duke triumfuar me rezultatin 2-0 në takimin e dytë miqësor të zhvilluar mesditën e sotme në Ohër.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Gent Mahmuti zhvilloi një paraqitje shumë pozitive, duke kontrolluar lojën dhe duke konkretizuar epërsinë në pjesën e dytë. Autorët e golave për kuqezinjtë ishin Albion Qorraj dhe Santjago Perkola.
Pjesa e parë u mbyll në barazim 0-0, pavarësisht përpjekjeve të kuqezinjve për të gjetur golin e avantazhit. Në fraksionin e dytë, Shqipëria arriti të zhbllokojë rezultatin në minutën e 60-të me Albion Qorrajn, ndërsa dhjetë minuta më vonë Santjago Perkola realizoi golin e dytë, duke vulosur fitoren 2-0.
Edhe ndeshja e parë mes dy përfaqësueseve, e zhvilluar dy ditë më parë në Korçë, është mbyllur me triumfin 4-1 për kuqezinjtë. Këto dy takime miqësore shërbyen si një mundësi e rëndësishme për stafin teknik të Kombëtares U-15 për të vlerësuar nga afër futbollistët e rinj dhe për t’u ofruar atyre eksperiencë ndërkombëtare në kuadër të procesit të zhvillimit dhe promovimit të talenteve./mxh
