Në peizazhet pjellore të Kretës perëndimore, avokadoja është kthyer në një nga kulturat më të rëndësishme bujqësore. Një sipërmarrës vendas po tregon se edhe frutat që refuzohen nga tregu mund të shndërrohen në një simbol të qëndrueshmërisë, inovacionit dhe ndikimit social. Në një ishull të njohur për vajin e ullirit, traditat e lashta dhe kuzhinën e pasur, po zhvillohet një revolucion i heshtur bujqësor. Në qendër të tij është Manolis Lerakis, themeluesi i kompanisë Avoel, familja e të cilit merret me kultivimin e avokados prej më shumë se 50 vitesh. Historia nisi kur Lerakis vuri re se 15-20% e prodhimit përbëhej nga avokado me formë jo të rregullt ose me pamje jo tërheqëse, të cilat nuk pranoheshin nga tregu. “Nuk mund të lejonim që një produkt kaq cilësor të përfundonte si mbetje”, thotë ai. Kjo ide çoi në krijimin e filozofisë “zero mbetje” të Avoel. Tuli i avokados përdoret për produkte ushqimore, farat rikthehen në fidanishte për mbjelljen e pemëve të reja, ndërsa lëkurat shndërrohen në pleh natyral.
Sipas Lerakis, Kreta ka krijuar interpretimin e saj unik të avokados, duke e kombinuar me limonë vendas, bimë aromatike të egra dhe mjaltë kretan. “Bukuria e avokados qëndron te baza e saj neutrale dhe e pasur, që përshtatet me shumë shije”, shprehet ai. Kompania po zhvillon gjithashtu pije, kokteje dhe një pije bimore për mirëqenien, e përgatitur me avokado, limon, mjaltë, xhenxhefil, kanellë dhe proteinë bizeleje. Përballë kritikave mbi konsumin e ujit, Lerakis argumenton se kultivimi i avokados në Kretë është më i qëndrueshëm nga sa mendohet. “Kurorat e dendura të pemëve të avokados reduktojnë ndjeshëm avullimin e ujit, duke ndihmuar në ruajtjen e lagështisë së tokës”, shpjegon ai.
Ndërsa turizmi vazhdon të rritet në ishull, ai kërkon më shumë mbështetje për prodhimin vendas të ushqimit. “Duam që turistët të largohen duke marrë me vete shijen autentike të Kretës”, thotë Lerakis. Një tjetër aspekt i veçantë i nismës është bashkëpunimi me burgun bujqësor të Agias, nga ku Avoel blen bimë aromatike të kultivuara nga të burgosurit, duke mbështetur riintegrimin e tyre në shoqëri. “Qëndrueshmëria e vërtetë duhet të përfshijë edhe njerëzit”, përfundon ai. Për vizitorët e Kretës, këshilla e tij është e thjeshtë: “Kërkoni produktet që rriten pranë jush. Zgjidhni ushqim autentik kretan dhe pije të prodhuara lokalisht.”/kb
