Deri tani, në ndeshjet e grupeve të Kupës së Botës, nuk ka pasur shumë rrezik që ekipet të eleminohen.
Përjashtim mund të bëjë Koreja e Jugut, e cila u befasua dje nga humbja 1-0 ndaj Afrikës së Jugut, rezultat që i siguroi afrikanëve kualifikimin historik, për herë të parë në fazën me eliminim direkt, shkruan BBC.
Megjithatë, edhe pas kësaj humbjeje, Koreja e Jugut ka shumë gjasa të kalojë më tej si një nga tetë ekipet më të mira, të renditura në vendin e tretë. Me tre pikë dhe golavarazh -1, kualifikimi mbetet i mundshëm.
Në formatin e Kupës së Botës 2022, ku vetëm dy skuadrat e para të çdo grupi, kalonin më tej, një humbje e tillë do ta kishte eliminuar tashmë Korenë e Jugut.
Pranimi i ekipeve të vendit të tretë, është një element i domosdoshëm i formatit të ri, pasi FIFA duhet të sigurojë 32 skuadra në fazën me eliminim direkt.
Por, kjo ka krijuar situata të reja, ku skuadrat mund të luajnë për rezultate specifike, jo vetëm për t’u kualifikuar, por edhe për të zgjedhur kundërshtarët e ardhshëm.
Dy ndeshje të kësaj jave pritet të jenë testi më i madh i këtij formati.
A mund të kënaqen ekipet me një barazim?
Zgjerimi i Kupës së Botës nga 32 në 48 skuadra, ka sjellë një problem të dukshëm: 48 nuk është një numër ideal për organizimin e turneut.
Me 32 skuadra, gjithçka ishte e thjeshtë: tetë grupe me nga katër ekipe, dy të parat kalonin në 1/8-at e finales dhe më pas vinin çerekfinalet, gjysmëfinalet dhe finalja.
Me shtimin e 16 skuadrave të tjera, FIFA u detyrua të gjejë një mënyrë, për të krijuar një fazë finale të balancuar.
Fillimisht, ishte menduar që të kishte 16 grupe me nga tre skuadra, ku dy të parat do të kualifikoheshin.
Por, ky plan kishte një problem të madh: skuadrat që luanin ndeshjen e fundit do të ishin në dijeni, saktësisht se çfarë rezultati u nevojitej për të kaluar më tej.
FIFA e kishte përjetuar diçka të tillë në Kupën e Botës 1982.
Atëherë, Gjermania Perëndimore luajti kundër Austrisë në ndeshjen e fundit të grupit.
Një fitore minimale e gjermanëve do t’i kualifikonte të dyja skuadrat dhe do të eliminonte Algjerinë. Ndeshja përfundoi 1-0 për Gjermaninë Perëndimore dhe Algjeria mbeti jashtë.
Pas atij skandali, FIFA vendosi që ndeshjet e fundit të grupeve, të zhvilloheshin në të njëjtën kohë.
Më e vështirë të eliminohesh sesa të kualifikohesh
Fundi dramatik i fazës së grupeve në Katar 2022 e bindi FIFA-n të ruante grupet me katër skuadra edhe në formatin e ri.
Megjithatë, ekziston një ndryshim thelbësor: tetë skuadra që përfundojnë në vendin e tretë do të kualifikohen në fazat pasuese.
Kjo do të thotë se, është bërë më e lehtë të vazhdosh rrugëtimin sesa të eliminohesh.
Problemi shihet qartë në dy ndeshje të kësaj jave:
Australi – Paraguai në Grupin D
Austri – Algjeri në Grupin J
Skuadrat e përfshira, janë në vendin e dytë dhe të tretë në grupet e tyre dhe kanë nga tre pikë secila.
Katër pikë pothuajse me siguri do të mjaftojnë për t’u renditur mes vendeve të treta që kualifikohen. Kjo krijon mundësinë që të dy ekipet të kënaqen me një barazim.
Një situatë e ngjashme ekziston edhe në grupin ku, Japonia ka katër pikë dhe Suedia tre, si dhe në grupin ku Panamaja ka katër pikë dhe Kroacia tre.
Sa më vonë të luhet një ndeshje, aq më shumë informacion kanë skuadrat për rezultatet e grupeve të tjera dhe për atë që u nevojitet për t’u kualifikuar.
Në rastin e Austrisë dhe Algjerisë, që luajnë ndër grupet e fundit, të dyja skuadrat do ta dinë saktësisht se çfarë rezultati u duhet.
Ironikisht, Algjeria, e dëmtuar nga rregullat në vitin 1982, mund të jetë përfituese nga formati i ri në vitin 2026.
Jo vetëm kualifikimi, por edhe zgjedhja e kundërshtarit
Një tjetër problem është se, skuadrat mund të përpiqen të përfundojnë në një pozicion të caktuar, për të pasur një rrugë më të lehtë, në fazën tjetër.
Në Euro 2004 pati polemika të mëdha kur Suedia dhe Danimarka barazuan 2-2, rezultat që eliminoi Italinë. Shumë italianë dyshuan se ndeshja ishte manipuluar, edhe pse UEFA mohoi çdo parregullsi.
Në Kupën e Botës 2026 situata mund të bëhet edhe më e ndërlikuar.
Kundërshtarët në fazën me eliminim direkt varen nga grupet që sigurojnë skuadrat e renditura në vendin e tretë.
Për shembull, nënkampioni i Grupit J do të përballet me fituesin e Grupit H, ku aktualisht kryeson Spanja.
Por skuadra që mbyll Grupin J në vendin e tretë, mund të përballet me fituesin e Grupit L ose me fituesin e Grupit B, që mund të jetë një kundërshtar më i favorshëm.
Kjo do të thotë se, Austria ose Algjeria mund të arrijnë në përfundimin se, vendi i tretë është më i leverdishëm se vendi i dytë.
Pra, në teori, një skuadër mund të preferojë të humbasë sesa të fitojë.
Edhe moti mund të ndikojë
Rregullorja e FIFA-s parashikon që, nëse një ndeshje ndërpritet për shkak të stuhive apo rrufeve, ndeshja tjetër e grupit nuk do të ndalet.
Kjo krijon mundësinë, që një takim të pezullohet për disa orë dhe, kur lojtarët të rikthehen në fushë, të dinë tashmë rezultatet e nevojshme për t’u kualifikuar.
Nëse ndeshjet Australi–Paraguai apo Austri–Algjeri përfundojnë në barazim, me shumë gjasa do të lindin pyetje mbi drejtësinë dhe integritetin e formatit të ri.
Megjithatë, ky është një format i zgjedhur nga FIFA. Kupa e Botës nuk kishte nevojë të zgjerohej në 48 skuadra, por kjo ishte pjesë e programit me të cilin Gianni Infantino u zgjodh president i FIFA-s, në vitin 2016.
Dhe nëse problemet vazhdojnë, ndoshta në të ardhmen FIFA mund të shkojë edhe më tej, jo duke u rikthyer te 32 skuadra, por duke e zgjeruar turneun në 64 ekipe./mxh
