Argjendari indian Hemant Karamchandani, i cili prej 25 vitesh krijon bizhuteri të personalizuara për milionerë dhe personazhe të njohura në Dubai, vendosi të shënonte Kampionatin Botëror të Futbollit 2026 në mënyrën e tij të veçantë.
Krijimi i tij përfshin elemente prej ari 18 karatësh, të gjitha të dizajnuara dhe punuara me dorë. Duke nisur nga një set Lego i Kupës së Botës FIFA me 2,842 pjesë, Karamchandani e transformoi atë në një kopje unike të trofeut, duke i shtuar detaje luksoze.
Vlera e tij tashmë është shumë më e lartë se çmimi fillestar prej rreth 800 dirhamësh që kishte seti Lego.
I krijuar në punishten e tij në Passion Jewellers, në Gold and Diamond Park të Dubait, modeli me përmasa 36 centimetra ka tërhequr shumë vëmendje që kur u vendos në ekspozim.
“Kam 25 vite në këtë biznes, kështu që bëj shpesh krijime të tilla për klientët e mi. Çdo klient vjen me një ide në letër dhe ne e kthejmë atë në realitet”, tha Karamchandani.
Ideja për këtë projekt erdhi nga djali i tij, Yash, 10 vjeç, i cili bleu një set Lego dhe e ndërtoi atë për tre ditë. Babai i tij më pas vendosi t’i shtonte një prekje personale dhe e punoi edhe për 35 ditë të tjera për ta përfunduar.
“Kur pashë trofeun, mendova t’i shtoja një element të veçantë dhe ta ngrija në një nivel tjetër”, u shpreh argjendari.
Ai fillimisht vendosi diamante në pllakën me emrin e Kupës së Botës FIFA, por më pas zgjeroi projektin. Sipas tij, pjesa më sfiduese ishte përshtatja perfekte e elementeve prej ari me pjesët Lego.
Ende nuk është vendosur se ku do të përfundojë kjo vepër. Karamchandani tha se mund të përdoret për bamirësi ose madje të ekspozohet në Muzeun e së Ardhmes në Dubai, pasi ka pasur interes.
Argjendari është i njohur për punimet e tij të personalizuara për të famshëm dhe sportistë, megjithëse nuk zbulon identitetet e klientëve.
Një nga kërkesat më të pazakonta që ka marrë ishte krijimi i një varëseje në formën e një pakete patatinash nga McDonald’s, e realizuar me rubinë, ar dhe diamante të verdha./ad

