Last Updated on 26/06/2026 by Anisa
Politikani demokrat Luçiano Boçi është pyetur drejtpërdrejt për thirrjet “Rama n’burg, Berisha n’burg”, të cilat janë kthyer tashmë në një nga parullat më të dëgjuara të protestës qytetare që po vijon prej më shumë se 25 ditësh në rrugët dhe bulevardet kryesore të Tiranës.
Gazetari Xhensil Shkëmbi e ka pyetur deputetin e Partisë Demokratike lidhur me thirrjet kundër Sali Berishës. Boçi është shprehur se mes protestuesve ka edhe persona që, sipas tij, i shërbejnë qeverisë dhe qëllimisht kërkojnë të vendosin në fokus parullën “Berisha n’burg”.
Ndërkohë, lidhur me pjesën tjetër të parullës, “Rama n’burg”, deputeti demokrat është shprehur se qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit dhe përballjen e tij me drejtësinë.
“Tani këtë e kemi sqaruar dhe është e qartë; lufta ndaj opozitës përgjatë shumë viteve ka qenë dhe në formën e bërjes opozitë ndaj opozitës, ndaj PD. Partia Demokratike është sulmuar në forma juridike, politike, zgjedhore dhe këto forma janë kaq të lehta.
Ka rryma aty brenda që duan të përfitojnë kapital politik dhe të marrin autoritetin e opozitës. Dhe gjejnë këtë formë për të lëshuar ndonjë thirrje, ndonjë parullë. Që nuk na afekton, e rëndësishme është që të gjithë qytetarët janë aty për largimin e qeverisë”, u shpreh Boçi.
Deklarata e tij vjen në një kohë kur protesta vijon të mbledhë qytetarë në Tiranë dhe thirrjet kundër figurave politike kryesore të vendit janë kthyer në një element të debatit publik./ad
