Të pini ujë edhe kur nuk ndieni etje, të shmangni ndryshimet e menjëhershme të temperaturës, të planifikoni daljet duke evituar orët më të nxehta të ditës dhe të tregoni kujdes në ruajtjen e barnave.
Për të parandaluar goditjen nga të nxehtit dhe dehidratimin, gjatë ditëve me temperatura shumë të larta duhet t’u kushtohet vëmendje e veçantë të moshuarve, foshnjave dhe personave me sëmundje kronike, veçanërisht atyre me diabet.
Rekomandohet ruajtja e duhur e ushqimeve, mbrojtja nga vapa gjatë udhëtimeve me makinë, si dhe kujdesi për kafshët shtëpiake. Gjithashtu këshillohet një ushqyerje e lehtë, e pasur me fruta të freskëta, kufizimi i konsumit të alkoolit, veshja me rroba të lehta dhe që lejojnë ajrosjen e trupit, zhvillimi i aktivitetit fizik vetëm në orët më të freskëta të ditës dhe ofrimi i ndihmës për personat që jetojnë vetëm.
Hidratimi është thelbësor: duhet të pini ujë rregullisht gjatë gjithë ditës, edhe nëse nuk ndieni etje.
Për të moshuarit nevojitet kujdes i shtuar, pasi ata shpesh e perceptojnë më pak etjen dhe ndikimin e të nxehtit. Për këtë arsye, duhet të ndihmohen që të konsumojnë lëngje në mënyrë të rregullt.
Gjithashtu duhet bërë kujdes me ndryshimet e menjëhershme të temperaturës të shkaktuara nga kondicioneri shumë i ftohtë, sidomos në makinë ose kur trupi është i djersitur, pasi ato mund të shkaktojnë kontraktura muskulore dhe probleme të tretjes. Ambientet duhet të jenë të freskëta, por jo të ftohta, me një diferencë jo më shumë se 5 gradë Celsius nga temperatura e jashtme. Kur është e mundur, rekomandohet përdorimi i funksionit të çlagështimit (dehumidifikimit).
Vëmendje e veçantë duhet t’u kushtohet edhe foshnjave, të cilat nuk janë në gjendje të shprehin etjen apo ndjesinë e vapës. Ushqyerja me gji ose me formulë qumështi plotëson nevojat e tyre si për kalori, ashtu edhe për lëngje. Megjithatë, kur ushqyerja nuk është e rregullt, është e rëndësishme të njihen shenjat e dehidratimit, si pelenat e thata, tharja e mukozave…
Temperaturat e larta paraqesin rrezik edhe për personat me sëmundje kronike. Veçanërisht te pacientët me diabet, ato e bëjnë më të vështirë kontrollin e sëmundjes, duke rritur rrezikun e luhatjeve të nivelit të sheqerit në gjak.
Për më tepër, temperaturat e larta mund të ndikojnë në funksionimin e sensorëve që matin vazhdimisht nivelin e glukozës në gjak. Kjo u vu re edhe në rastin e tenistit Alexander Zverev, i cili gjatë gjysmëfinales së turneut të Halle-s kërkoi një ndërprerje, pasi pajisja e tij nuk funksiononte siç duhet, duke e çuar të injektonte më shumë insulinë sesa ishte e nevojshme.
Së fundi, nxehtësia e tepërt mund të ulë efektivitetin e barnave. Për këtë arsye rekomandohet që ato të ruhen në çanta termike ose në vende të freskëta, sipas udhëzimeve të ruajtjes së secilit medikament./ad
