Të paktën nëntë persona humbën jetën dhe disa të tjerë mbetën të plagosur pasi një ndërtesë shumëkatëshe u shemb në qytetin e Lagosit, në Nigeri. Bilanci paraprak u konfirmua nga autoritetet të premten, një ditë pas ngjarjes.
Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave në shtetin e Lagosit, së bashku me shërbimet e tjera të shpëtimit, zhvilloi një operacion të gjerë kërkim-shpëtimi, duke përdorur makineri të rënda për të arritur tek personat e bllokuar nën rrënoja. Të plagosurit morën ndihmën e parë në vendngjarje dhe më pas u transportuan në spitalet më të afërta.
Sipas autoriteteve, ndërtesa ishte e banuar dhe në të funksiononin gjithashtu biznese dhe kisha, çka bëri që në momentin e shembjes të ndodheshin brenda një numër i madh njerëzish.
Guvernatori i Lagosit, Babajide Sanwo-Olu, urdhëroi kontrolle të menjëhershme të ndërtesave përreth dhe u bëri thirrje pronarëve dhe ndërtuesve të respektojnë rregullat dhe standardet e sigurisë.
Ngjarja ka rikthyer në vëmendje problemin e shembjeve të shpeshta të ndërtesave në Lagos, të cilat shpesh lidhen me cilësinë e dobët të punimeve në ndërtim dhe zbatimin e pamjaftueshëm të rregulloreve të sigurisë. Hetimet për shkaqet e shembjes vijojnë, ndërsa ekipet e emergjencës vazhdojnë kërkimet mes rrënojave./mxh
