Last Updated on 28/06/2026 by Kesjana
Deti Kaspik, pellgu më i madh i mbyllur me ujë në botë, po tkurret me ritme alarmante. Për dekada me radhë, shkencëtarët besonin se ndryshimet e nivelit të ujit ishin pjesë e cikleve natyrore, por një studim i ri i publikuar në revistën Earth’s Future tregon se shkaku kryesor është aktiviteti i njeriut.
Studiuesit analizuan të dhënat satelitore dhe matjet hidrologjike nga pesë vendet që ndajnë brigjet e Detit Kaspik, Rusia, Kazakistani, Azerbajxhani, Turkmenistani dhe Irani. Ata zbuluan se prurjet e ujit drejt detit kanë rënë ndjeshëm gjatë tre dekadave të fundit, jo për shkak të mungesës së reshjeve, por kryesisht si pasojë e ndërtimit të digave, devijimit të lumenjve, ujitjes intensive dhe konsumit industrial të ujit.
Ndryshimi klimatik ka ndikuar gjithashtu, duke rritur avullimin për shkak të temperaturave më të larta, por sipas studiuesve ai shpjegon vetëm rreth 40% të humbjes së ujit që nga mesi i viteve 1990. Pjesa tjetër lidhet drejtpërdrejt me ndërhyrjet njerëzore, veçanërisht në lumin Vollga, i cili furnizon rreth 80% të ujit që derdhet në Detin Kaspik. Digat, rezervuarët, kanalet dhe përdorimi gjithnjë e më i madh i ujit kanë reduktuar ndjeshëm sasinë që arrin në det.
Një sipërfaqe sa Sicilia është zhdukur
Pamjet satelitore tregojnë se që nga mesi i viteve 1990, Deti Kaspik ka humbur rreth 24 mijë kilometra katrorë sipërfaqe, afërsisht sa ishulli i Sicilisë. Niveli i ujit ka rënë me rreth dy metra, ndërsa janë humbur rreth 630 kilometra kub ujë.
Shkencëtarët paralajmërojnë se, nëse kjo prirje vazhdon, deri në fund të shekullit niveli i detit mund të bjerë edhe me 8 deri në 21 metra. Një skenar i tillë do ta zhvendoste vijën bregdetare me kilometra të tërë dhe do të linte shumë porte larg ujit.
Pasoja për natyrën dhe ekonominë
Tkurrja e Detit Kaspik po kërcënon një nga ekosistemet më të rëndësishme në botë. Zonat e cekëta në veri, të domosdoshme për shumimin e bliut, peshkut nga i cili prodhohet pjesa më e madhe e havjarit botëror, po thahen me shpejtësi. Në rrezik është edhe foka kaspike, i vetmi gjitar detar i këtij pellgu, e cila po humbet habitatin për shkak të rënies së nivelit të ujit, ndotjes dhe reduktimit të akullit dimëror.
Përveç ndikimit mjedisor, rënia e nivelit të Detit Kaspik prek edhe ekonominë dhe transportin. Ky pellg është një nyje strategjike për korridoret tregtare dhe energjetike që lidhin Evropën me Azinë. Megjithëse pesë shtetet bregdetare kanë nisur iniciativa të përbashkëta për mbrojtjen e tij, ekspertët theksojnë se pa një menaxhim të koordinuar të burimeve ujore dhe përdorimit të lumenjve, tkurrja e Detit Kaspik do të vazhdojë./kb
