Last Updated on 01/07/2026 by Kesjana
Vala e të nxehtit që ka përfshirë Europën nuk lodh vetëm trupin, por ndikon edhe në funksionimin e trurit. Studimet shkencore tregojnë se temperaturat ekstreme rrisin rrezikun e çrregullimeve mendore, shtojnë shtrimet në spital dhe, në rastet më të rënda, lidhen edhe me një rritje të numrit të vetëvrasjeve.
Sipas vlerësimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), vala aktuale e të nxehtit pritet të shkaktojë rreth 1.300 vdekje shtesë, afro 1.000 prej tyre vetëm në Francë. Por ekspertët paralajmërojnë se ekziston edhe një pasojë më pak e dukshme: përkeqësimi i shëndetit mendor.
Shumë njerëz gjatë ditëve me temperatura ekstreme përjetojnë lodhje mendore, vështirësi në përqendrim, mungesë energjie dhe irritim të shtuar. Për personat që vuajnë nga çrregullime psikike, efektet mund të jenë shumë më serioze.
*Si ndikon nxehtësia te truri?*
Studimi i ndikimit të vapës në tru nuk është i thjeshtë, pasi valët e të nxehtit janë ngjarje të paparashikueshme. Megjithatë, kërkimet mbi zjarrfikësit, të cilët ekspozohen rregullisht ndaj temperaturave shumë të larta, tregojnë se pas ekspozimit aftësia për t’u përqendruar dhe për të ruajtur vëmendjen bie ndjeshëm.
Në këto raste, funksionet njohëse rikuperohen pas rreth 20 minutash në një ambient të freskët. Por situata është krejt ndryshe gjatë valëve të të nxehtit, kur organizmi mbetet për ditë ose javë të tëra nën temperatura të larta, pa mundësi të ftohet as gjatë natës.
*Rriten shtrimet në spital për probleme të shëndetit mendor*
Të dhënat e mbledhura pas valëve të të nxehtit tregojnë një lidhje të qartë mes temperaturave të larta dhe shtimit të rasteve që kërkojnë trajtim psikiatrik.
Një studim i Universitetit të Oksfordit, i publikuar në vitin 2023, zbuloi se gjatë periudhave me valë të të nxehtit, shtrimet në spital për çrregullime mendore rriten mesatarisht me 9,7% krahasuar me periudhat me temperatura normale.
Më të rrezikuarit janë personat që vuajnë tashmë nga sëmundje mendore. Gjatë valës së të nxehtit që goditi Kanadanë në vitin 2021, njerëzit me skizofreni kishin një rrezik trefish më të lartë për të humbur jetën sesa pjesa tjetër e popullsisë.
*Izolimi dhe ndryshimet në kiminë e trurit*
Ekspertët besojnë se një pjesë e ndikimit vjen nga ndryshimet në stilin e jetës. Kur temperaturat janë shumë të larta, njerëzit dalin më pak nga shtëpia, reduktojnë aktivitetin fizik dhe flenë më keq. Gjumi cilësor, aktiviteti fizik dhe marrëdhëniet sociale janë tre faktorë thelbësorë për shëndetin mendor, ndërsa vala e të nxehtit i dëmton të tre.
Studimet mbi kafshët sugjerojnë gjithashtu se temperaturat e larta mund të ndryshojnë ekuilibrin kimik të trurit, duke ndikuar në nivelet e neurotransmetuesve, komunikimin mes neuroneve dhe furnizimin e trurit me oksigjen.
*Fëmijët dhe të rinjtë janë më të rrezikuarit*
Shkencëtarët paralajmërojnë se brezat e rinj do të përballen gjithnjë e më shpesh me temperatura ekstreme. Fëmijët e lindur në vitin 2020 pritet të përjetojnë gjatë jetës së tyre rreth shtatë herë më shumë valë të të nxehtit sesa gjyshërit e tyre. Në të njëjtën kohë, fëmijët dhe adoleshentët janë edhe më të ndjeshëm ndaj efekteve të temperaturave ekstreme. Ekspozimi ndaj vapës ose të ftohtit të madh mund të ndikojë negativisht në zhvillimin e trurit dhe të ndryshojë sasinë e substancës së bardhë, e cila është përgjegjëse për komunikimin mes qelizave nervore.
Një tjetër studim, i publikuar së fundmi në American Journal of Psychiatry, zbuloi se për çdo rritje me 1 gradë Celsius të temperaturës mesatare mujore, shkalla e vetëvrasjeve tek të rinjtë 15–24 vjeç në Shtetet e Bashkuara rritet me 2,97%. Ky është më shumë se dyfishi i rritjes së vërejtur tek personat mbi 24 vjeç. Ekspertët theksojnë se ndikimi i valëve të të nxehtit në organizmin e njeriut po bëhet gjithnjë e më i qartë dhe se pasojat në shëndetin mendor duhet të trajtohen me seriozitet maksimal, si një sfidë e re e shëndetit publik./kb
