Last Updated on 01/07/2026 by Anisa
Analisti Ilir Demaliaj ka denoncuar se është dhunuar ditën e sotme në Tiranë nga dy persona, ndërsa ka treguar detaje nga ngjarja gjatë një lidhjeje live në emisionin “Shqipëria Live”.
Demaliaj u shpreh se sulmi ndodhi sapo kishte dalë nga banesa e tij, duke pretenduar se dy persona e kanë goditur me grushte.
“Po dilja nga shtëpia dhe dy veta të lagjes që kanë dyqan aty më sulmuan. Një polic po i vinte gjobë për parkim të gabuar. Më goditën me grushte se thanë që kam lajmëruar policinë, por nuk e kisha lajmëruar unë”, tha ai.
Analisti deklaroi se nuk ka pasur konflikte personale me askënd, por shtoi se ka marrë kërcënime të vazhdueshme.
“Nuk i kam borxh njeriu dhe as armiqësi, por kërcënime të vazhdueshme kam pasur, urrejtje kot”, u shpreh Demaliaj.
Ai e lidhi ngjarjen me një problem që, sipas tij, ka ngritur më herët për parkimin në zonën ku banon.
“Nuk besoj që më rrahën për qëndrimet e politikës, por pse kam ngritur problemin për të pastruar parkimin e asaj zone, se nuk hyjmë dot në shtëpi”, tha ai.
Demaliaj pretendoi gjithashtu se ngjarja ka ndodhur në prani të policisë dhe se ka bërë denoncim.
“Më dhunuan në sy të policisë. Po i kërkon policia, i ka gjetur, por nuk e di nëse i kanë kapur. E bëra denoncimin. Më dhunuan me grushte, ishin dy veta”, deklaroi analisti.
Autoritetet pritet të sqarojnë rrethanat e ngjarjes dhe të vijojnë procedurat për identifikimin dhe marrjen e përgjegjësisë nga personat e dyshuar./ad

