Last Updated on 02/07/2026 by EL
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gazetarëve Sportivë, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) ka shfaqur një ekspozitë me dokumente origjinale, duke sjellë në kujtesë gazetarët dhe komentatorët më të njohur ndër breza.
Materiale arkivore të Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH), dokumente origjinale dhe periodikë të ndryshëm të viteve ‘60-’90, shpalosën ndeshjet më të bujshme të kombëtares shqiptare, si edhe informacione lidhur me kampionatet vendase më të lakuara. Në këtë aktivitet të zhvilluar në hapësirën tonë kulturore “Auditor”, ishin të pranishëm Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, z. Auron Rrokaj, Zëvendësdrejtoresha e Përgjithshme e Arkivave, znj. Marinela Ndria, gazetari i parë sportiv profesionist në historinë e medias shqiptare, z. Ahmet Shqarri, si edhe zëra të tjerë të spikatur të fushës, sikurse z. Moisi Dalipi, z. Ylli Ago, z. Dëfrim Methasani, z. Ervin Baku, znj. Vilma Masha, z. Glenti Nallbani, z. Pano Xhixho dhe anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), znj. Anila Basha.
Në fjalën e tij të rastit, z. Rrokaj shprehu vlerësimin për kontributin e gazetarëve dhe të komentatorëve sportivë në memorien historike kombëtare, të ruajtur në arkiva. “Kënaqësi të jem pranë personaliteteve të gazetarisë sportive shqiptare për të festuar këtë Ditë Ndërkombëtare që iu është dedikuar. Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre, përveçse ekspozitës me dokumente për punën tuaj, e cila ruhet në memorien historike, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka mundur t’ju përgatisë disa dhurata simbolike. Kemi kryer riprodhimin e disa dokumenteve që ruajmë në arkiv, në lidhje me komentatorët dhe gazetarët që na kanë mbajtur të gozhduar, një pjesë e të cilëve gjenden sot këtu”, tha kreu i DPA-së.
Në fjalën e marrë, z. Shqarri e përshëndeti aktivitetin duke vënë theksin te përkushtimi i gazetarëve ndër breza, si edhe tek plejada e sportistëve më të spikatur. “Faleminderit shumë institucionit, ndër më të rëndësishmit të shtetit shqiptar që promovon dokumentet për gazetarinë sportive. Kur institucionet vihen në provë të tillë, do të thotë se punojnë vërtet. Kam kohë që mungoj në ngjarje të ndryshme. Ju falenderoj dhe përgëzoj për nismën tuaj, për ekspozitën që nuk e kam parë gjëkundi tjetër. Unë kam punuar mbi 50 vite në gazetarinë sportive dhe ka qenë privilegj. Kam punuar që prej vitit 1969 deri në kampionatin botëror të futbollit në Rusi, duke komentuar një plejadë sportistësh të jashtëzakonshëm”, u shpreh z. Shqarri.
Më tej, në fjalën e tij të rastit, z. Methasani u shpreh se evidentimi i së shkuarës përmes arkivave është i domosdoshëm për kujtesën e shoqërisë, pa lënë pa përmendur mentorët që e udhëhoqën gjatë karrierës. “Kjo ditë në Shqipëri ka nisur të festohet në vitin 1993, ndërsa bota e ka festuar mbi 100 vite para. Të bësh diçka duhet ta duash. Të gjithë të pranishmit e kanë patur pasion dhe ndaj e kanë bërë këtë profesion. I jam mirënjohës Shqarrit dhe të gjithë gazetarëve sportivë sepse ndihmuan brezat e rinj në vite të hershme, duke u dhënë mundësi që nuk duheshin shpërdoruar. Falenderoj dhe stafin tuaj për këtë aktivitet të bukur. Arkiva është pasuria më e madhe që ka Shqipëria, sepse pa to asgjë nuk është e besueshme”, tha gazetari.
“Ju falenderoj në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit për këtë aktivitet. Ju thoni se arkivat frymëzojnë. Por, ato nuk janë vetëm një frymëzim. Janë një databazë e rëndësishme që do të shfrytëzohet për breza me radhë. Puna e gazetarëve është shumë e rëndësishme jo vetëm për raportimin, por për të lënë gjurmë. Në çdo 2 korrik jemi përpjekur të hapim dyert për gazetarët dhe padyshim që ju jeni aktorët e sukseseve tona në futboll. Pas 100 vitesh, do të gjejmë pikërisht në arkiva edhe lajmin e pjesëmarrjes së ekipit të vajzave në botërorin e futbollit 2027”, përmbylli znj. Basha.
Mes dokumenteve origjinale që u paraqiten në ekspozitë, bënin pjesë:
• Korrespondenca ndërmjet Mëkëmbësisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme në vitin 1940, mbi organizimin e ndeshjeve të futbollit ndërmjet skuadrave italiane dhe shqiptare;
• Qarkorja e Federatës së Shoqërive Sportive e Artistike ” Vllaznia Shqiptare ” drejtuar inspektorive të arsimit dhe shkollave të mesme në vitin 1936, mbi caktimin e korrespondentëve të gazetës “Sporti shqiptar”;
• Numra të gazetës “Sporti”, të mbledhura nga Asdreni;
• Informacioni i Drejtorisë së Përgjitshme të Radiotelevizionit dërguar Komitetit Qendror të PPSH në vitin 1989, mbi pagesat ndërkombëtare të transmetimit të ndeshjeve të futbollit.
Ekspozita përfshinte edhe botime mbi disiplina të ndryshme të sportit, publikuar nga gazetarë të njohur, sikurse Besnik Dizdari dhe Astrit Kasimati, të cilët për dekada kanë përcjellë emocionet e përballjeve më drithëruese.





