Bashkimi Europian është i vendosur të gjejë një kandidat europian për postin e Përfaqësuesit të Lartë Ndërkombëtar në Bosnjë-Hercegovinë. Gjatë vizitës në Sarajevë, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, theksoi se përparimi i vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian është mënyra më e shpejtë për t’i dhënë fund mbikëqyrjes ndërkombëtare, e cila vazhdon prej përfundimit të luftës.
Kallas vizitoi gjithashtu trupat e misionit paqeruajtës EUFOR Althea, duke e cilësuar praninë e tyre një garanci të rëndësishme për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Sipas saj, paqja në Bosnjë-Hercegovinë ka zgjatur për tre dekada, por nuk duhet të konsiderohet e mirëqenë.
Shefja e diplomacisë europiane ritheksoi se e ardhmja e Bosnjë-Hercegovinës është në Bashkimin Europian dhe se mbështetja e qytetarëve për anëtarësimin mbetet mbi 70 për qind. Ajo theksoi se vendet e tjera të rajonit dhe të Europës Lindore po avancojnë në procesin e integrimit, ndërsa Bosnjë-Hercegovina rrezikon të mbetet pas nëse nuk përshpejton reformat.
Kallas paralajmëroi se dritarja e mundësisë për anëtarësim nuk do të mbetet e hapur pafundësisht. Sipas saj, reformat e qëndrueshme janë mënyra më e shpejtë dhe më efektive për të çuar përpara procesin e anëtarësimit.
Ajo bëri të ditur se Bosnjë-Hercegovina ka humbur tashmë 108 milionë euro nga fondi europian prej 6 miliardë eurosh për Ballkanin Perëndimor dhe rrezikon të humbasë edhe 370 milionë euro të tjera nëse nuk ndërmerr reformat e kërkuara.
Ndërkohë, Bashkimi Europian vijon përpjekjet për të gjetur një pasues për Përfaqësuesin e Lartë Ndërkombëtar, Christian Schmidt, pasi vendet partnere nuk kanë arritur ende një marrëveshje për emrin e ri. Procesi është shoqëruar edhe me mosmarrëveshje mes europianëve dhe Shteteve të Bashkuara mbi kandidatin që do të marrë këtë detyrë.
Bosnjë-Hercegovina mbetet ndër vendet që kanë ecur më ngadalë në rrugën drejt Bashkimit Europian, për shkak të bllokadave politike dhe mungesës së reformave, ndërsa tensionet e brendshme vazhdojnë të pengojnë përparimin e saj në procesin e integrimit europian./mxh
