Last Updated on 03/07/2026 by Anisa
Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm këtë të premte në eventin e Edicionit të Tretë të Javës së Administratës Publike, me fokus Shërbimin Publik për një Shqipëri Europiane.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë foli për problematikat e administratës, duke e lidhur me njerëzit që dalin në protestë. Ai u shpreh se njerëzit ndihen të fyer dhe madje të poshtëruar, duke marrë shembullin e nënës së shokut të tij.
“Transformimi i administratës është një proces kompleks dhe i vështirë, i cili kërkon diçka që Shqipëria dhe shqiptarët sot e kanë gjithmonë e më pak, kërkon kohë sepse ka të bëjë me krijimin e mekanizmave që kërkojnë shumë njerëz.
Ligji i parë i administratës sonë publike është aprovuar një dekadë më parë dhe ne e kuptojmë se pak transformim ka ndodhur. Ne kemi një cilësi të re në administratën shtetërore, kemi një sfidë të madhe përballë qytetarëve që kanë të drejtë të jenë më kërkues dhe të trajtohen më mirë në shumë raste.
Ajo protestë ka rëndësinë e vet themelore që janë kërkesat dhe shqetësimet e qytetarëve, një protestë e pastër siç e quaj unë, nën koren e zezë që për fat të keq është pjesa e zhurmshme ku janë mbledhur dështakët dhe zemërakët e Shqipërisë.
Nëna e një shoku tim, ajo është gjyshe, kishte dalë në protestë. I biri më tregon që ishte alarmuar kur i kishin thënë, sepse ajo është në një moshë të caktuar që në mes të një turme njerëzish gjëja e parë që të shkon ndërmend është që mund të pengohet, rrëzohet.
Pyet të ëmën dhe i thotë, pse shkon ti në protestë? Ajo i tregon atë që besoj unë është thelbi i zemërimit të shumë njerëzve me administratën shtetërore. Asaj i duhet të shkojë në mënyrë periodike në poliklinikë, si ajo ka edhe të tjerë, njerëzit shkojnë atje që në orën 05:00 të mëngjesit. Presin që mjeku të vijë dhe shpresojnë që, duke qenë para në radhë, të kenë mundësinë që ai t’i shohë, sepse mjeku, e para, nuk vjen në orar. E dyta, nuk rri deri në fund të orarit, pasi trajton tre-katër pacientë dhe ikën. Kjo grua në moshë, një gjyshe, del në protestë sepse është e fyer. Fjalë e lehtë në fakt, është poshtërim.
Ndjenja e poshtërimit nga shteti yt, nga njerëz që paguhen për t’u kujdesur për ty, është një përpjekje për ta vënë veten në atë pozitë dhe për të kuptuar që është kulmi. Njerëzit ndihen të poshtëruar, por një rrugë nuk është e zgjidhshme vetëm në rrugë, administrata do të bëhej gjykatë atëherë dhe do të bënte 5 të mira por edhe 500 të këqija.
Mungesa e njerëzillëkut është një mungesë të cilën njerëzit nuk janë të disponuar ta tolerojnë më, me të drejtë. Këta nuk janë shumica për fat të mirë. Nuk ka nevojë të tërhiqen zvarrë njerëzit që kanë për të thënë, ka nevojë të tërhiqet vetëm njëri zvarrë siç ndodhi në atë rastin e shëmtuar atje.
Të veprosh për ta ndryshuar këtë është më shumë komplekse se sa mendohet. Ashtu si lufta e korrupsionit nuk është vetëm çështje burgu.
Duhet që sistemi të të mbrojë, pikërisht ajo që po ndodh në Shqipëri që humbet në mjegullën dhe tymnin e shumë gjërave që bëhen bashkë; sistemi për herë të parë po lufton me korrupsionin, është e kundërta me atë që thuhet zakonisht”, u shpreh Rama./ad
