Kalimi masiv drejt automjeteve elektrike në Kinë po jep rezultate të rëndësishme për shëndetin publik. Një studim i publikuar në revistën Nature Health, i cili analizoi të dhënat nga 150 qytete kineze, tregon se rritja e përdorimit të makinave elektrike ka ulur ndjeshëm ndotjen e ajrit dhe lidhet me shmangien e rreth 262 mijë vdekjeve të parakohshme të shkaktuara nga ndotja atmosferike.
Dhjetë vjet pasi automjetet elektrike nisën të konkurrojnë seriozisht makinat me benzinë dhe naftë, studiuesit kanë vlerësuar ndikimin real të këtij tranzicioni. Në vitin 2025, Kina, lider botëror në prodhimin dhe shitjen e automjeteve elektrike, regjistroi një moment historik, pasi më shumë se gjysma e makinave të shitura në vend ishin elektrike.
Sipas studimit, nëse Kina do të kishte vazhduar të përdorte vetëm automjete me motorë me djegie të brendshme, nivelet e ndotjes do të ishin shumë më të larta. Analiza tregon se falë automjeteve elektrike, niveli i monoksidit të karbonit ra me më shumë se 30%, ndërsa përqendrimi i grimcave të imta PM2.5 u ul me afro 24%. Këto grimca konsiderohen ndër ndotësit më të rrezikshëm për shëndetin, pasi depërtojnë thellë në mushkëri dhe lidhen me sëmundje të zemrës, mushkërive dhe me rritjen e rrezikut për vdekje të parakohshme.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se jo të gjithë ndotësit janë ulur me të njëjtin ritëm. Dioksidi i azotit (NO₂) u reduktua me vetëm 7.9%. Sipas ekspertëve, kjo ndodh sepse ky ndotës nuk emetohet vetëm drejtpërdrejt nga automjetet, por formohet edhe përmes reaksioneve kimike në atmosferë. Për këtë arsye, zëvendësimi i makinave tradicionale me ato elektrike nuk mjafton për ta eliminuar plotësisht këtë problem.
Një tjetër faktor është se pjesa më e madhe e automjeteve elektrike në Kinë janë makina kompakte. Versionet e tyre me motorë me djegie prodhojnë më shumë monoksid karboni, ndërsa automjetet e rënda, si kamionët dhe autobusët, janë burimi kryesor i oksideve të azotit dhe grimcave ndotëse. Studiuesit vlerësojnë se elektrifikimi më i shpejtë i transportit të rëndë do të sillte ulje edhe më të mëdha të ndotjes.
Studimi kujton gjithashtu se edhe automjetet elektrike nuk e eliminojnë plotësisht ndotjen. Mjetet e mëdha, pavarësisht llojit të motorit, vazhdojnë të prodhojnë grimca nga konsumimi i gomave, frenave dhe asfaltit. Për këtë arsye, ekspertët theksojnë se elektrifikimi është një hap i rëndësishëm, por duhet të shoqërohet edhe me politika të tjera për ta bërë transportin rrugor sa më pak ndotës, veçanërisht për mjetet e rënda dhe transportin tregtar./kb
