Last Updated on 03/07/2026 by Kesjana
**
Shumë njerëz, kur peshku i tyre i kuq rritet ose nuk duan ta mbajnë më në akuarium, zgjedhin ta lëshojnë në një lumë ose liqen, duke menduar se po bëjnë një gjest të mirë. Por shkencëtarët paralajmërojnë se kjo mund të ketë pasoja të rënda për natyrën.
Një studim i publikuar në revistën Journal of Animal Ecology tregon se peshku i kuq (Carassius auratus), një nga kafshët shtëpiake më të përhapura në botë, mund të shndërrohet në një specie pushtuese sapo futet në mjediset natyrore, duke dëmtuar rëndë biodiversitetin e lumenjve dhe liqeneve.
Për të studiuar ndikimin e tij, studiuesit e Universitetit të Toledos në Ohio krijuan 32 liqene artificialë që imitonin kushtet e ekosistemeve natyrore. Në disa prej tyre u vendosën peshq të kuq së bashku me specie vendase dhe organizma të tjerë ujorë. Vetëm pas dy muajsh, rezultatet treguan se prania e peshkut të kuq kishte përkeqësuar ndjeshëm gjendjen e të gjitha ekosistemeve të studiuara.
Sipas studiuesve, peshqit e kuq e bënë ujin më të turbullt, duke ulur cilësinë e tij dhe duke e bërë më të vështirë mbijetesën e specieve vendase, të cilat janë të përshtatura me ujëra më të pastër. Si pasojë, numri i kërmijve, amfipodëve, zooplanktonit dhe organizmave të tjerë ujorë ra ndjeshëm.
Ndikimi nuk u ndal vetëm te organizmat e vegjël. Edhe popullatat e peshqve vendas pësuan rënie të shpejtë, ndërsa shumë prej tyre u dobësuan në mënyrë ekstreme për shkak të konkurrencës për ushqim. Peshqit e kuq konsumojnë një pjesë të madhe të burimeve ushqimore, duke lënë shumë pak për speciet e tjera.
Një nga përfundimet më të rëndësishme të studimit është se nuk ka rëndësi nëse liqeni është i pasur apo i varfër me lëndë ushqyese. Në të dy rastet, prania e peshkut të kuq shkaktoi dëme serioze, duke treguar se pothuajse asnjë ekosistem ujor nuk është i mbrojtur nga kjo specie.
Autorët e studimit e përshkruajnë këtë proces si një “ndryshim regjimi”, ku pas një niveli të caktuar dëmtimi, ekosistemi transformohet dhe humbet ekuilibrin e tij natyror. Rikthimi i tij në gjendjen fillestare është shumë i vështirë, ndaj ekspertët bëjnë thirrje për më shumë ndërgjegjësim dhe edukim të qytetarëve, duke theksuar se peshqit e kuq nuk duhet të lirohen kurrë në lumenj, liqene apo mjedise të tjera natyrore./kb
