Mbi 42 mijë foto dhe video me përmbajtje të abuzimit seksual të fëmijëve janë gjetur në një faqe interneti shqiptare. Zbulimi është bërë nga Qendra Kombëtare për Internet të Sigurt, iSIGURT.al, e cila e cilëson këtë si një nga rastet më të rënda të hasura deri më tani.
Vetëm gjatë muajit qershor, ekspertët e qendrës kanë identifikuar 42,624 materiale në këtë faqe dhe e kanë raportuar menjëherë rastin te autoritetet policore, duke kërkuar heqjen e materialeve dhe nisjen e hetimeve.
Sipas iSIGURT.al, gjatë verifikimeve është konstatuar se të gjitha fotot dhe videot ishin publikuar në një faqe interneti me domain “.AL”, çka sipas tyre tregon se edhe faqe të regjistruara në Shqipëri po përdoren për shpërndarjen e materialeve të paligjshme.
Autoritetet pritet të ndërmarrin hetime për identifikimin e përgjegjësve dhe bllokimin e platformës, ndërsa rasti është konsideruar si alarm serioz për sigurinë në hapësirën digjitale.
