Nga Lutfi Dertvishi
“Truth isn’t truth”, “e vërteta nuk është e vërtetë”, tha dikur Rudy Giuliani, duke lënë pa dashje si amanet një nga përkufizimet më të sakta të kohës që jetojmë.
Një dekadë më parë, Oxford Dictionaries shpalli “post-truth” fjalën e vitit. Nuk ka më rëndësi fakti, por emocioni. RAND Corporation e quajti “truth decay”, erozioni i së vërtetës. Michiko Kakutani shkroi një libër për “vdekjen e së vërtetës”. Ngado që ta rrotullosh, faktet po humbasin autoritetin e tyre.
Ironia është se sot njerëzit kanë më shumë informacion se kurrë. Problemi nuk është mungesa e fakteve, por mungesa e durimit për t’i dalluar ato nga propaganda, opinioni dhe dëshira. Nëse dje pyetja ishte “çfarë ka ndodhur?”, sot pyetja është “kush e ka postuar?”.
Para se të lexosh diçka, bën vetting-un e autorit: mbështet qeverinë apo opozitën? Jeton këtu apo në Londër? Është patronazhist apo militant? Është pensionist që jeton në Bruklin dhe i ka mbetur ora në vitin 1944, apo një i ri që Sami Frashërin e di drejtor shkolle në Tiranë?
Pasi i bën vetting biografisë, familjes, vendlindjes, fotove para dhe pas COVID-it dhe komenteve në Facebook, nuk të mbetet më kohë të merresh me atë që ka shkruar.
Ka pak rëndësi nëse “fakti” është i vërtetë. Ka shumë më tepër rëndësi se cilit kamp i përket.
Nëse e thotë “yni”, është fakt. Nëse e thotë tjetri, është propagandë. Nëse më pëlqen, është lajm. Nëse nuk më pëlqen, është luftë hibride. Nëse na pëlqen protesta, është qytetare. Nëse nuk na pëlqen, është komplot ndërkombëtar, algoritëm, Irani, Greqia, Rusia dhe, nëse vazhdon edhe disa javë, do të mbërrijmë te Zelanda e Re.
Nuk është thjesht çështje emocionesh. Emocione njerëzit kanë pasur gjithmonë, njeriu nuk është robot apo tabelë Excel-i. Problemi lind kur emocioni zëvendëson provën dhe kur fakti kalon në filtrin e “dobishmërisë”.
“Faktet janë kokëforta; dëshirat, prirjet dhe pasionet tona nuk mund ta ndryshojnë gjendjen e fakteve dhe të provave.”
Këtë e tha John Adams, patriot amerikan dhe kundërshtar i rreptë i sundimit britanik, ndërkohë që mbronte në gjyq ushtarët britanikë të akuzuar pas Masakrës së Bostonit. Ai zgjodhi provën përpara emocionit/pasionit.
Edhe pas më shumë se 250 vitesh, ky mbetet një standard shumë i lartë. Të qëndrosh pas faktit kur ai të vjen për shtat është e lehtë. Sprova fillon kur fakti të prish punë.
Teknologjia nuk e shpiku gënjeshtrën. Ajo vetëm i dha Wi-Fi.
Sot problemi nuk janë vetëm lajmet e rreme, por diçka më e rrezikshme: krijimi i realiteteve paralele, ku nuk mund të ketë më mosmarrëveshje, sepse as baza e fakteve nuk është e përbashkët.
Ka njerëz që besojnë sinqerisht se trafiku apo çmimet nuk janë problem. Ka të tjerë që shohin investime miliardëshe aty ku të tjerët shohin klientelizëm, ose drejtësi të re aty ku të tjerët shohin drejtësi selektive.
Disa prej këtyre janë interpretime të ndryshme të të njëjtit realitet dhe janë legjitime. Por kur njëri thotë se gota mbi tavolinë nuk ekziston, tjetri se është komplot i opozitës dhe i treti se fotografia e gotës është prodhuar nga inteligjenca artificiale, atëherë nuk kemi më debat. Kemi llogje televizive.
Çdokush ka të drejtë të ketë mendimin e vet. Bota është e bukur pikërisht sepse nuk mendojmë njësoj. Por demokracia nuk mund të funksionojë pa një bazë të përbashkët faktesh. Mund të debatojmë nëse gota është gjysmë plot apo gjysmë bosh, por duhet të biem dakord se gota ekziston.
E vërteta nuk është pronë e askujt: as e qeverisë, as e opozitës, as e protestës, as e shumicës.
Shumica mund të fitojë zgjedhjet. Madje mund të votojë edhe që dy plus dy bëjnë pesë, por nuk mund të tallet duke thënë se kjo është aritmetika.
E vërteta është shpesh e pakëndshme, e ngadaltë dhe e lodhshme. Gënjeshtra vjen e kuruar, joshëse dhe e shpejtë. Por fakti ka një avantazh të vogël: është kokëfortë.
Mund ta fshehësh, ta vonosh, ta relativizosh, ta mbulosh me zhurmë dhe me dhjetë debate televizive njëkohësisht. Por nuk mund ta ndryshosh.
Siç e përmblidhte një titull i ditëve të fundit, algoritmi i halleve, herët a vonë, e mbyt algoritmin e propagandës. Dhe kjo, ndryshe nga thënia se “e vërteta nuk është e vërtetë”, ka shumë gjasa të jetë e vërtetë.
