Kjo është mantra që autorja e këtij artikulli përsërit dy herë në ditë, në mëngjes dhe para gjumit. Jo sepse kjo është domosdoshmërisht e vërteta e saj, por sepse beson se, me përsëritje të mjaftueshme, edhe një ide që fillimisht duket si gënjeshtër mund të fillojë të ndihet e besueshme.
Në thelb, ky ësht parimi pas manifestimit: përsëritja e një ideje, qëllimi apo bindjeje derisa ajo të bëhet pjesë e mënyrës se si e shohim veten dhe realitetin përreth nesh. Dhe, sipas disa kërkimeve mbi mënyrën se si funksionon truri, përsëritja mund të ndikojë vërtet në mënyrën se si përpunojmë informacionin, emocionet dhe pritshmëritë tona.
Truri nuk e ka aq të thjeshtë të dallojë “të vërtetën”
Të gënjesh kërkon përpunim mendor. Kur themi diçka që e dimë se nuk është e vërtetë, truri duhet të frenojë përgjigjen reale, të ndërtojë një version tjetër të historisë dhe njëkohësisht të kontrollojë nëse ajo që po themi ka kuptim.
Kjo mund të aktivizojë zona të trurit të lidhura me kontrollin e impulseve, konfliktin dhe përpunimin emocional. Për këtë arsye, gënjeshtra mund të shoqërohet edhe me shenja fizike stresi, si rritje të rrahjeve të zemrës, djersitje apo tension.
Por gjërat ndryshojnë kur një ide përsëritet vazhdimisht.
Sa më shumë e përsërisim, aq më e njohur bëhet
Truri ka një aftësi të jashtëzakonshme për t’u përshtatur. Kur ekspozohemi vazhdimisht ndaj të njëjtit stimul, reagimi emocional ndaj tij mund të zbehet.
E njëjta logjikë mund të aplikohet edhe te mënyra se si i flasim vetes. Një bindje që në fillim duket e huaj mund të fillojë të tingëllojë gjithnjë e më familjare pas dhjetëra apo qindra përsëritjesh.
Kjo nuk do të thotë se mund të mendoni “jam milioner” dhe të zgjoheni të nesërmen me një milion euro në llogari. Por ndryshimi i mënyrës se si e perceptoni veten mund të ndikojë në mënyrën se si silleni, çfarë mundësish vini re dhe sa të gatshëm jeni të ndërmerrni hapa drejt një qëllimi.
a623964d1ac755bdd559931b12bbdf48.jpg
Edhe kujtesa jonë nuk është aq e besueshme sa mendojmë
Një tjetër arsye pse ideja e manifestimit është interesante lidhet me kujtesën. Truri nuk funksionon si një videokamerë që ruan çdo ngjarje në mënyrë perfekte. Kujtimet mund të ndikohen nga emocionet, pritshmëritë dhe mënyra se si e interpretojmë një situatë.
Kjo do të thotë se versioni që kemi në mendje për një ngjarje të kaluar nuk është domosdoshmërisht identik me atë që ka ndodhur realisht.
Në të njëjtën mënyrë, mënyra se si e shohim veten mund të ndikojë edhe në atë që vëmë re. Nëse besojmë se “asgjë nuk më ecën”, ka gjasa të fokusohemi më shumë te dështimet. Nëse fillojmë të besojmë se jemi të aftë për të gjetur mundësi, mund të bëhemi më të vëmendshëm ndaj tyre.
566c9fb2f6a79b1353f52a1d7e2d38a1.jpg
Manifestimi nuk është magji, por mund të ndryshojë sjelljen
Këtu qëndron ndoshta pjesa më interesante.
Të përsërisësh një qëllim nuk e detyron universin ta realizojë atë. Por mund të ndikojë në mënyrën se si truri e percepton atë qëllim dhe sa të mundshëm e konsideron.
Kur kalojmë kohë duke vizualizuar një rezultat të dëshiruar, mund të krijojmë një lloj harte mendore për të. Fillojmë të mendojmë më shpesh për hapat që mund të na çojnë atje dhe të dallojmë mundësi që më parë mund t’i kishim injoruar.
Pra, në vend që të jetë thjesht “mendo pozitivisht dhe gjithçka do të ndodhë”, manifestimi mund të funksionojë më shumë si një mënyrë për të riformuluar pritshmëritë tona.
Nëse i themi vetes vazhdimisht “nuk jam e zonja për këtë”, truri ynë mund të fillojë të sillet sikur kjo është një e vërtetë e padiskutueshme. Nëse, përkundrazi, i themi “mund ta mësoj”, hapësira për veprim bëhet më e madhe.
66ce30b6fd117562dae73afdeeecbcdf.jpg
“Delulu” mund të bëhet “truelulu”?
Sigurisht, ekziston një kufi.
Nuk mjafton të përsërisni një frazë për të ndryshuar realitetin. Paratë nuk shfaqen vetë, një punë nuk vjen vetëm sepse e keni vizualizuar dhe një marrëdhënie nuk bëhet e shëndetshme vetëm sepse e keni shkruar në një ditar.
Por një bindje e re mund të ndryshojë sjelljen që vjen pas saj. Dhe pikërisht këtu një “gënjeshtër” e vogël mund të shndërrohet në një profeci që vetëpërmbushet.
Kështu që, nëse doni ta provoni, mund ta përsërisni dy herë në ditë: “Unë jam e aftë të krijoj mundësi për veten dhe t’i shfrytëzoj ato.”
Pastaj bëni pjesën tjetër që mantra nuk mund ta bëjë: veproni./mxh
