Përplasja mes ekspertit të kriminalistikës Ervin Karamuço dhe analistit Ergys Mërtiri ka sjellë debate lidhur me protestat në Shqipëri që prej vitit 1990 dhe ndikimin e faktorëve të brendshëm e të jashtëm në zhvillimin e tyre.
Gjatë një diskutimi në në emisionin “Top Story”, Karamuço deklaroi se çdo protestë në Shqipëri ka pasur një pjesë qytetare dhe të sinqertë, por edhe grupe agresive, duke shtuar se protestat që nga viti 1990 janë ndikuar jo vetëm nga faktorë të brendshëm, por edhe të jashtëm. Ai përmendi protestat e janarit 1990 në Tiranë dhe Shkodër, duke folur për ndikimin e Vatikanit dhe të serbëve.
Deklaratat e tij u kundërshtuan nga analisti Ergys Mërtiri, i cili vuri në pikëpyetje këtë interpretim, çka solli një debat mes të dyve.
Karamuço: Që nga viti 1990, të gjitha protestat që kemi pasur deri sot kanë pasur pjesën e shëndetshme, të sinqertë, por çdo protestë, e çdo kategorie qoftë, ka edhe një grup të dhunshëm, shumë agresiv. Protestat në Shqipëri, që nga viti 1990, janë bërë me ndikime të brendshme, por edhe të jashtme. Ndikimi i brendshëm është i justifikuar. Kjo protestë që po zhvillohet tani po imunizohet nga të gjithë faktorët malinj; po distancohet nga dhuna dhe nga ata që duan të djegin institucionet. Në janar të vitit 1990 kemi pasur dy protesta: njëra ishte e heshtur në Tiranë dhe tjetra në Shkodër. Të dyja kishin, nga njëra anë, ndikimin e madh të Vatikanit dhe, nga ana tjetër, ishin serbët që donin destabilizim.
Mërtiri: Sipas kësaj, serbët na kanë ndihmuar për të mirën e demokracisë.
Karamuço: Jo, e bënë për të destabilizuar Shqipërinë në një moment kur ne kërkonim ndryshim.
Mërtiri: Si ishte më mirë: në regjimin e Hoxhës të stabilizuar, apo në këtë destabilitet që solli demokracia?
Karamuço: Nuk po e kupton fare çfarë po them./ad
