Nga James Livingston, Project Syndicate
Nga fundi i shekullit të 19-të në SHBA, çdo vëzhgues serioz e kishte kuptuar se pushteti ekonomik nuk shndërrohej vetvetiu, e aq më pak lehtësisht, në kapital politik dhe autoritet kulturor. Prandaj, ndryshe nga oligarkët e sotëm, disa prej kapitalistëve të Epokës së Artë mësuan se si të bëheshin një klasë sunduese.
“Oligarkia” është tanimë një emër i njohur për vëllazërinë e miliarderëve që e pranojnë haptas dallimin, ose më saktë konfliktin, mes interesave të tyre dhe mirëqenies së përgjithshme ekonomike, të paktën deri në pikën ku pranohet se mirëqenia e përgjithshme vjen nga barazia politike, që është në vetvete një element i demokracisë. Ata dhe bashkëpunëtorët e tyre heqin dorë nga çdo pretendim për të udhëhqeur shoqërinë ose kulturën, pavarësisht blerjes së votave, veshjeve, mbrëmjeve gala dhe medias prej tyre. Pas një shekulli, shumica e njerëzve ka për t’i kujtuar si sociopatë, pretendimet e të cilëve ndaj të ardhmes ishin sa qesharake aq edhe sipërfaqësore – fëmijënore me një fjalë – sepse donin pushtet, por jo përgjegjësi.
Zotërit tanë potencialë feudale janë mjaft të çiltër kur shpjegojnë se si dhe përse pasuria e tyre marramendëse iu jep të drejtën e të pozicionuarit më lartë dhe me një zë më të fortë politik se sa qytetarët me më pak fuqi blerëse. Pasi kanë vendosur se barazia politike ju kërcënon lirinë, ata tregohen gjithashtu të sinqertë kur thonë se aprovimi nga të qeverisurit – parimi i detyrimit politik specific për format moderne të qeverisjes – përbën një pengesë ndaj progresit ashtu siç e imagjinojnë ata. Dhe nëse do t’i besonim fjalës së tyre, progresi për ta nënkupton zhvillimin socioekonomik dhe teknologjik që lejohet dhe kërkohet nga “tregjet e lira.”
Këta oligarkë krahasohen shpesh me baronët grabitqartë të Sheteteve të Bashkuara të fundshekullit të 19-të, të cilët thuhet se e gjetën rrugën drejt pasurimit të madh përmes aventurave të rrezikshme, duke korruptuar zyrtarë publikë, si edhe duke shfrytëzuar punëtorë, vejusha dhe fëmijë jetimë. Duke shpikur korporata të mëdha, baronët grabitqarë zëvendësuar konkurrencën e shëndetshme mes kompanive me monopole qiraje – të ashtuquajturat “truste” në fjalorin bashkëkohor – si Standard Oil, American Telephone and Telegraph, General Electric, apo US Steel.
Megjithatë, krahasimi me të ashtuquajutrën Epokë të Artë është fatkeq, e madje i rremë, pasi fundshekulli i 19-të në fakt nuk ishte një moment pabarazie në rritje. Nuk ishte as një moment triumfi për “biznesin e madh” – apo, për ta përgjithësuar me termat e ofruar nga historiani i ndjerë Hauard Zinn, nuk qe një moment i mposhtjes së pashmangshme të “popullit” në Duart e forcave mbi ta. Për të qenë të sinqertë, Epoka e Artë ishte një epokë përplasjesh klasore epike, të cilat hera-herës u shndërruan në luftëra me armë mes kapitalit dhe punës; por në shumicën e rasteve, nga rreth viteve 1880-1900, kur vetëm 10% e krahut të punës përfaqësohej nga sindikatat, punëtorët dolën fitimtarë nga këto përlasje. Në fakt, sido që ta përllogarisim, punëtorët ishin duke e fituar luftën e klasave të këtij momenti formativ, të paktën deri në fund të viteve 1890-të.
Sipas raporteve zyrtare të Komisionerit të Punës në SHBA, punëtorët triumfuan në shumicën e grevave dhe protestave mes viteve 1881 dhe 1905. Ndërkaq, puëtorët e industrisë ruajtën kontrollin e tyre mbi makineritë e prodhimit, pavarësisht përpjekjeve të shumta të manaxherëve për t’i zëvendësuar ata. Si përfundim, u pa një ndryshim mbresëlënës në të ardhura nga kapitali drejt krahut të punës – pagat reale jobujqësore u rritën teksa fitimet u ulën – pavarësisht kundërshtimeve të ashpra nga manaxherët. Ky transformim në të ardhura është krejt e kundërta e asaj çfarë ka ndodhur në SHBA dhe kudo tjetër gjatë epokës së neoliberalizmit (nga 1973 e deri tani.)
Të gjithë për një
Por ndoshta dallimi më i rëndësishëm mes asaj periudhe dhe kohës sonë qëndron te botëkuptimi, te vizioni i ri për botën, që po merrte formë mes kapitalistëve të Epokës së Artë. Ndryshe nga “tech bros” të sotëm, ata e kuptonin se fitimet e tyre nuk mund të justifikoheshin vetvetiu si produkt i punës së palodhur, kalkulimeve të zgjuara, ndërmarrjes së rrezikut apo inteligjencës superiore. Prandaj, ata kuptonin se pyetja nuk ishte nëse tregu duhej rindërtuar, por si duhej rindërtuar; dhe kjo, sipas tyre, nënkuptonte si duheshin rregulluar tregjet në mënyrë që t’i shërbenin mirëqenies së përgjithshme. Ata kishin pushuar së menduari se liria e tyre mund të reduktohej te e drejta natyrore e pronës. Si pasojë, manipulimi i forcave të tregut, qoftë përmes rregullimit shtetëror, qoftë përmes organizimit të punëtorëve, nuk u dukej më domosdoshmërisht si cenim i lirisë së kontratës, pra si kërcënim vdekjeprurës ndaj vetë lirisë.
Ky botëkuptim i ri nuk ishte ndonjë altruizëm i ndriçuar, as “konservatorizëm i dhembshur”. Nga mesi i viteve 1890, kur fermerët dhe punëtorët dukej se kishin rënë dakord se kapitalistët që kontrollonin “trustet” ishin rritje parazitare mbi trupin politik, kapitalistët nuk mund të dilnin në ndonjë përfundim tjetër. Mjaft prej tyre e kuptuan se, nëse nuk pranonin dhe nuk vepronin sipas intuitës që ushqente revoltën e masave — se tepricat e prodhuara nga industria moderne duheshin ndarë mes të gjitha shtresave shoqërore — atëherë do të humbnin çdo pretendim për legjitimitet dhe, bashkë me të, çdo pretendim për udhëheqje në çështjet ekonomike, shoqërore apo politike.
Edhe një herë, rendi i ri nuk ishte altruizëm i mundësuar nga zgjime morale apo impulse të reja filantropike. Ishte një vlerësim realist i asaj që prodhonte lëvizshmëri shoqërore dhe, për rrjedhojë, stabilitet shoqëror, konsensus politik dhe parashikueshmëri ekonomike — secila prej tyre një përbërëse thelbësore e sjelljes racionale të tregut në afat të gjatë. Ishte gjithashtu një vlerësim realist se kush do ta fitonte luftën e klasave në afat të shkurtër. Nga fundi i shekullit të 19-të, për çdo vëzhgues të vëmendshëm ishte e qartë se fuqia e tregut nuk përkthehej automatikisht, madje as lehtësisht, në kapital politik dhe autoritet kulturor.
Ndryshe nga oligarkët e kohës sonë, pra, disa kapitalistë të Epokës së Artë mësuan të shndërroheshin në klasë sunduese. Për të huazuar fjalorin e E. Digby Baltzell-it, ata mësuan të nxirrnin nga radhët e biznesit të madh dhe të vogël një “elitë integruese të qëllimeve”, të besueshme, e cila më pas rekrutoi intelektualë, gazetarë, akademikë, fermerë dhe sindikalistë në kauzën e saj, duke u bërë kështu e aftë të ndërmjetësonte mes klasave shoqërore.
Kauza e tyre ishte “reforma” në kuptimin më të gjerë të fjalës, sepse ajo niste, por nuk mund të përfundonte, me rindërtimin e tregjeve dhe riorganizimin e procesit të punës, të dyja të mundësuara nga shpikja e formave të reja ligjore të korporatës. Kauza e reformës në këtë kuptim ishte shoqërore, ideologjike, politike, madje edhe kulturore, jo thjesht ekonomike; dhe kështu kuptohej nga të gjitha palët e koalicionit ndërklasor që bëri të mundura arritjet e Erës Progresiste gjatë dy dekadave të para të shekullit të 20-të. Ajo nënkuptonte një rinegocim të marrëdhënieve klasore, një ripërkufizim të punës, një riorientim të liberalizmit, një rirreshtim të partive dhe një rishikim të roleve gjinore — fillimisht, kalimin nga lëvizja e grave te feminizmi si emër i ndryshimeve të dukshme ose të dëshirueshme në rolet dhe pozitën shoqërore të grave.
Shteti administrativ që mbeti si trashëgimi e kësaj epoke — sot i dënuar me vdekje si nga armiqtë e ekspertizës, ashtu edhe nga miqtë e “tregjeve të lira” — mbështetej mbi supozimin e përbashkët se tregjet nuk vetërregulloheshin dhe se, po të liheshin pa mbikëqyrje, forcat e tregut do ta shkatërronin një shoqëri të mbajtur bashkë nga prodhimi dhe shkëmbimi i mallrave. Këto forca të pabindura, për rrjedhojë, duheshin rregulluar ose menaxhuar në emër të mirëqenies së përgjithshme.
Institucionet e reja që i shërbyen këtij qëllimi përfshinin Sistemin e Rezervës Federale, Komisionin Federal të Tregtisë dhe Administratën e Ushqimit dhe Barnave. Ato nuk iu nënshtruan “kapjes nga elitat”, sepse ishin, pjesërisht, vepër e një elite të re integruese të qëllimeve, e cila kishte interes të drejtpërdrejtë në mirëqenien e përgjithshme.
Pasuri demokratike
Klasa sunduese që u formua gjatë Erës Progresiste kishte përballë baronët grabitqarë të Epokës së Artë. Ashtu si oligarkët e kohës sonë, baronët grabitqarë e kuptonin shoqërinë e tregut si një hapësirë plaçkitjeje. Zgjerimi i pasurive të tyre — dhe bashkë me të, i lirisë së tyre — kërkonte, sipas tyre, nxjerrjen e pasurisë nga shumica, si në shkallë lokale, ashtu edhe globale, dhe pothuajse me siguri nënkuptonte vdekjen e demokracisë si shërbëtore e mirëqenies së përgjithshme. Rimishërimi i tyre sot shfaqet në formën me jelekë Patagonia të orakujve të Silicon Valley-t, si Marc Andreessen, miliarderi i kapitalit sipërmarrës që plagjiarizon manifestet fashiste të fillimshekullit të 20-të sepse, siç e shpjegon vetë me kënaqësi, nuk preferon të inspektojë përmbajtjen e kafkës së tij.
Kapitalistët që e kuptonin se premtimi i jetës amerikane nuk ishte i shkruar në fund të bilancit financiar, e dinin mirë se çfarë kishin përballë në Epokën e Artë. Henry Lee Higginson, veteran i Luftës Civile, bankier investimesh dhe filantrop i palodhur, e përmblodhi këtë vetëdije në vitin 1915: “Nga viti 1868 deri më 1898 pati këto frikëra dhe pasiguri të vazhdueshme, të cilat u dhanë kumarxhinjve një mundësi të madhe nëse dinin të hamendësonin saktë, ndërsa njerëzit e ndershëm i mbanin në dyshim dhe shpesh në agoni. Ata nuk mund të bënin biznes siç duhej dhe i kujtoj të gjitha ato vite me tmerr.”
E vërteta e dukshme, por e papranuar, që qëndron brenda idesë se jetojmë në një Epokë të re të Artë, nuk është se kapitalistët kanë mbledhur sërish një oligarki të plotfuqishme të vendosur për të plaçkitur, apo se ne, populli, jemi të dënuar të humbasim përballë kësaj klike keqdashëse, sipas logjikës së hekurt historike të përqafuar nga figura të së majtës si Zinn-i dhe ekonomisti Thomas Piketty. E vërteta është se baronët grabitqarë të kohës sonë — “broligarkë” si Peter Thiel, manjatë mediash si David Ellison, idiotë të dobishëm si Curtis Yarvin, apo palaço gjithëkompetentë si Elon Musk — tani përballen me të njëjtin lloj zemërimi, përqeshjeje dhe përçmimi që diskreditoi oligarkët e Epokës së Artë dhe bëri të mundura arritjet e Erës Progresiste.
Sondazhet mbi çështjen e inteligjencës artificiale janë vetëm treguesi më i fundit i neverisë bashkëkohore ndaj asaj që baronët e sotëm grabitqarë thonë se duan: më shumë para, më shumë pushtet, më shumë respekt dhe, në fund, burime të mjaftueshme për t’u shkëputur nga planeti Tokë. Në fakt, çdo sondazh i kryer që nga viti 2016, kur senatori amerikan Bernie Sanders hyri në garën presidenciale paraprake, tregon se një shumicë ndërklasore dhe shumë-racore amerikanësh mbështet atë që vetë Sanders e quan socializëm demokratik. Kjo shumicë është ende tepër centrifugale për ta njohur veten si bartëse të elementeve të një koalicioni të ri progresist, por ajo është realiteti i pagabueshëm i kohës sonë.
Kjo gjendje e opinionit publik dhe e mundësisë elektorale do të sugjeronte nevojën për një elitë të re integruese të qëllimeve, që përfaqëson këtë shumicë të shumëllojshme. Ajo do të vepronte mbi supozime të ngjashme me ato që qëndronin në themel të pararendëses së saj nga Era Progresiste: se mirëqenia e përgjithshme i shërbehet më mirë nga një demokraci më bujare; se konflikti mes interesave të oligarkëve dhe kërkesave të mirëqenies së përgjithshme është, për këtë arsye, i pashmangshëm; se tregjet nuk janë realitete të jashtme ekonomike ndaj të cilave ne duhet të përshtatim jetët tona, por janë ndërtime kulturore që mund t’u nënshtrohen qëllimeve tona shoqërore; se pyetja para nesh nuk është nëse tregjet duhen rindërtuar, por si duhen rindërtuar në mënyrë që të shpërndajnë të mirat me efikasitet dhe drejtësi; dhe se tepricat e prodhuara nga tregje të tilla duhen ndarë mes të gjitha shtresave shoqërore.
Në një kohë përqendrimi të paprecedentë pasurie — kur asetet e një personi të vetëm barazohen me 1% të PBB-së botërore — garantimi i mirëqenies së përgjithshme bëhet i pamundur. Por rëndësia gjithnjë e më e madhe elektorale e “përballueshmërisë” pasqyron një shqetësim të përhapur gjerësisht, i cili nuk mund të adresohet pa zgjeruar fushën e demokracisë. Që kjo të ndodhë, oligarkët e rinj duhet të ndjekin fatin e baronëve grabitqarë — në heshtje ose jo.
James Livingston, ështëProfesor Emeritus i Historisë në Universitetin Rutgers, autor i gjashtë librave, përfshirë “No More Work: Why Full Employment Is a Bad Idea”, si edhe i librit të ardhshëm “The Intellectual Earthquake: How Pragmatism Changed the World”, 1898–2008 (Tërmeti intelektual: Si e ndryshoi pragmatizmi botën, 1898–2008, University of Chicago Press).-ad
